Mentor Haziri reagon për herë të parë pas largimit nga BBVK-ja
Këngëtari i njohur i muzikës rock, Mentor Haziri, ka reaguar për herë të parë pas largimit të tij të menjëhershëm nga Big Brother VIP Kosova 4.
Artisti u tërhoq nga gara pa kaluar ende 24 orë brenda shtëpisë, një vendim që shkaktoi reagime dhe kuriozitet të madh te publiku.
Në një shkrim të gjatë në InstaStory, Haziri ka shpjeguar arsyet e vërteta që e çuan drejt dorëheqjes, duke treguar se pas këtij vendimi qëndron një dhimbje e madhe familjare.
“Ju falënderoj nga zemra të gjithëve e veçanërisht produksionin e Big Brother VIP Kosova. Ju më keni prit si me qenë njeri i shtëpisë, me zemër të hapur, me respekt e me shumë dashni”, shkroi ai fillimisht, duke e vlerësuar stafin për profesionalizmin dhe mikpritjen që i kishin treguar.
Artisti zbuloi se vetëm një ditë para se të hynte në shtëpinë e BBVK, ai kishte varrosur djalin e dajës, i cili ishte sjellë nga Amerika pas disa ditësh pritjeje. Një humbje që e tronditi thellë emocionalisht.
“Dhimbja ishte shumë e madhe për ta përballuar për një njeri që ka qenë shumë i afërt me mua… Zemërthyerja ishte më e madhe se sa ky vendim dhe ajo bëri të veten”, shkroi ai, duke shtuar se, pavarësisht vullnetit për të respektuar fjalën e dhënë për të qenë pjesë e spektaklit, gjendja e tij emocionale nuk i lejonte të vazhdonte.
