Irina Shayk magjeps në Pragë me paraqitjen dramatike për prezantimin e Kalendarit “Pirelli 2026”
Supermodelja e famshme Irina Shayk ka tërhequr gjithë vëmendjen në tapetin e kuq gjatë prezantimit të Kalendarit Pirelli 2026, që u mbajt në Pragë.
Bukuroshja ruse u shfaq me një paraqitje tejet dramatike, ku spikasnin vathët gjigantë smerald dhe vetullat e saj tërësisht të zbardhura.
Shayk kishte veshur një fustan të zi, në pamje të parë konservator, me një mëngë të vetme dhe jakë të lartë, të kombinuar me një kapelë të zezë që i mbulonte flokët.
Megjithatë, vëmendjen më të madhe e morën vetullat e saj të zbardhura së fundmi, një detaj që ngjalli shumë reagime nga fansat. Kapelja e zezë i theksonte më shumë vathët smerald dhe transformimin e ri të vetullave. Look-u u plotësua me buzë ngjyrë vere dhe tuë të zi në sy.
39-vjeçarja, nënë e një vajze tetëvjeçare të quajtur Lea, që e ka me ish-partnerin Bradley Cooper, këtë vit është një nga yjet e edicionit të 52-të të kalendarit të njohur italian.
Kalendarin e këtij viti, të quajtur The Cal, e ka realizuar fotografi norvegjez Sølve Sundsbø dhe ai i kushtohet forcës dhe bukurisë së elementeve natyrore. Kjo është hera e parë që Shayk bëhet pjesë e Kalendarit Pirelli, ku ajo përfaqëson elementin e “erës”.
Së bashku me të, në këtë edicion shfaqen edhe Venus Williams, FKA Twigs, Gwendoline Christie dhe shumë figura të tjera ikonike nga fusha të ndryshme, ku secila prej tyre mishëron elemente të tokës, ujit, zjarrit dhe erës.
Në një intervistë të publikuar në faqen zyrtare të brendit, Shayk shprehu entuziazmin e saj: “Kalendarin Pirelli nuk e shoh vetëm si foto të bukura, por si art. Të jem pjesë e tij ka qenë gjithmonë ëndrra ime dhe është një nder i madh”, tha ajo. /telegraf/