Rita Ora mbështet kampanjën për refugjatë: Prindërit e mi u larguan nga Kosova për t’i shpëtuar persekutimit
Këngëtarja e njohur ndërkombëtare me prejardhje nga Kosova, Rita Ora, është duke e mbështetur kampanjën dimërore të “Evening Standard” në Britani të Madhe për të ndihmuar refugjatët dhe njerëzit që në Britani të Madhe përballen me mungesë strehimi dhe pasiguri ushqimore.
Rita Ora, e cila u largua nga Kosova si fëmijë e vogël së bashku me familjen për të kërkuar siguri në Mbretërinë e Bashkuar, i ka treguar gazetës “Standard” se si rrugëtimi i prindërve të saj e ka formësuar atë.
“Rritja si fëmijë refugjat ka ndikuar në çdo aspekt të asaj që jam”, tha ajo.
“Kur prindërit e mi u larguan nga Kosova për t’i shpëtuar persekutimit ndaj shqiptarëve, ata hoqën dorë nga gjithçka për siguri dhe një fillim të ri në Mbretërinë e Bashkuar”.
Ora ka theksuar se guximi i prindërve të saj ka ndërtuar themelet e jetës së saj.
“Ata duhej t’i rindërtonin jetët e tyre nga e para; në Kosovë nëna ime ishte psikiatre, por kur arritëm në Mbretërinë e Bashkuar, ajo duhej të mësonte anglisht dhe të ritrajnohej tërësisht. Babai im punonte natën, me orë të gjata, për t’u siguruar që ne të kishim një të ardhme. Guximi i tyre ndërtoi themelet e gjithë jetës sime, dhe muzika u bë streha ime”, tha Ora.