Elton Ilirjani alarmon për gjendjen e Parashqevi Simakut: Rrezikon të kthehet e pastrehë

Elton Ilirjani alarmon për gjendjen e Parashqevi Simakut: Rrezikon të kthehet e pastrehë

Showbiz November 11, 2025 - 11:02

Elton Ilirjani ka ngritur shqetësimin për gjendjen e këngëtares të njohur Parashqevi Simaku, duke paralajmëruar se ajo mund të përballet sërish me pasiguri dhe mungesë strehimi nëse nuk ndërhyhet urgjentisht.

Në një intervistë Ilirjani theksoi se situata e artistes nuk ka pësuar përmirësim gjatë 11 muajve të fundit, duke shtuar se Simaku nuk po merr trajtimin dhe mbështetjen e nevojshme për të përballuar sfidat shëndetësore dhe sociale.

“Parashqevi Simaku rrezikon të kthehet aty ku ishte, e pastrehë! Situata e saj është shumë e vështirë. Nuk ka marrë asnjë përmirësim, nuk merr trajtim mjekësor, doli nga spitali dhe nuk është mirë. Një person që rri gjithë ditën në shtëpi humbet motivimin”, tha Ilirjani, duke shtuar se ndihmat e rastësishme nuk janë të mjaftueshme.

Ai bëri thirrje për ndërhyrje institucionale nga shteti shqiptar, duke theksuar se vetëm një angazhim konkret mund t’i ofrojë artistes ndihmën e duhur: “Ajo ka nevojë për mbështetje që i mundëson të bëjë letrat, të marrë ID-në amerikane dhe shqiptare, si dhe trajtim mjekësor. Ndihma e shtetit është jetike në këtë rast”.

Ilirjani përmendi gjithashtu ndihmën e deritanishme të disa individëve, duke përfshirë Kadri Morinën, i cili ka mbuluar shpenzimet deri në janar, duke paralajmëruar se pa ndërhyrje të mëtejshme, Simaku do të përballet me të njëjtat sfida të strehimit që ka pasur më parë.

Ky apel vjen në një moment kur situata e artistes është bërë e njohur për publikun dhe mediat, duke nxitur debate për mënyrën se si shteti dhe shoqëria mund të ndihmojnë figurat publike në nevojë.