Vdes aktorja Diane Ladd, tre herë e nominuar për “Oscar”

Vdes aktorja Diane Ladd, tre herë e nominuar për “Oscar”

Showbiz November 04, 2025 - 18:22

Diane Ladd, aktore me një karrierë të gjatë në film, televizion dhe teatër, e njohur për intensitetin dhe humorin e saj të mprehtë, ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare, sipas AP.

Lajmin e bëri të ditur vajza e saj, Laura Dern, e cila njoftoi se Lad  kishte vdekur në shtëpinë e saj në Ojai, Kaliforni, me të pranë. Shkaku i vdekjes nuk u bë i ditur menjëherë.

Ladd u bë e njohur në filmin e Martin Scorsese të vitit 1974, “Alice doesn’t live here anymore”, ku luajti rolin e Flo, një kamarierjeje e drejtpërdrejtë dhe humoristike, për të cilin mori nominimin e parë për “Oscar” në kategorinë aktorja më e mirë dytësore.

Më pas, ajo luajti në dhjetëra filma të tjerë, duke përfshirë “Chinatown”, “Primary Colors” dhe dy role që i sollën nominime të tjera për “Oscar”. “Wild at heart” dhe “Rambling Rose”, ku bashkëpunoi me vajzën e saj, Laura Dern.

Në filmin “Wild at Heart”, fitues i “Palme d’Or” në Festivalin e Kanës 1990, Ladd interpretoi një nënë, e gatshme të bëjë gjithçka për të mbrojtur vajzën e saj, duke përfshirë edhe akte ekstreme. Në një intervistë të fundit, ajo kujtoi se kishte ndryshuar një skenë sipas vizionit të saj, duke e bërë më dramatike dhe komike, dhe David Lynch e kishte pranuar idenë e saj.

Aktorja kishte një lidhje të fortë me artin edhe përmes familjes. Ajo ishte kushërirë e dramaturgut Tennessee Williams dhe bashkëshorte e parë e Bruce Dern, babai i Laura Dern.

Diane dhe Laura arritën një arritje të rrallë në Hollivud: u nominuan të dyja për Oscar për filmin “Rambling Rose”.

E lindur në Laurel, Misisipi, me emrin Rose Diane Ladner, ajo nisi karrierën në vitet 1950 në televizion, duke u shfaqur në seriale si “Perry Mason”, “Gunsmoke” dhe “The big valley”. /atsh