Rita nxjerr bisedën private me Yllin në Instagram: Do ta doja një bashkëpunim
Rita Ora ka ndarë së fundmi me ndjekësit e saj një moment të veçantë komunikimi me artistin kosovar, Yll Limani, duke nxitur menjëherë spekulime për një bashkëpunim të ardhshëm mes tyre.
Në një “screenshot” të publikuar në Instagram Story, këngëtarja me famë botërore ka zbuluar bisedën private që ka pasur me Yllin, pasi të dy janë bërë miq në Instagram. Menjëherë pas ndjekjes së njëri-tjetrit, Ylli është ai që i ka shkruar i pari Rites: “Rita, e dua ‘All Natural’”.
Rita i është përgjigjur menjëherë me fjalë të ngrohta: “Oh legjendë! Faleminderit, do të thotë shumë për mua e thënë nga një shok shqiptar”.
Pa humbur kohë, Ylli i ka hedhur idenë e një bashkëpunimi: “Bashkëpunim?” – pyetje të cilës Rita i është përgjigjur pa hezitim: “Do ta doja këtë”.
Ky shkëmbim i shkurtër, por shumë domethënës, ka mjaftuar që fansat të shpërthejnë në komente, teksa ideja e një bashkëpunimi mes dy prej emrave më të dashur shqiptarë në muzikë po merr gjithnjë e më shumë hov.
Duke qenë se Rita ka zgjedhur që këtë bisedë ta ndajë publikisht, ndjekësit po e shohin këtë si një sinjal të qartë se diçka po gatuhet në prapaskenë — dhe mund të mos duhet të presim shumë gjatë për ta dëgjuar.
