
Si nisi romanca e Dua Lipës me Callum Turner?
Historia e dashurisë mes Dua Lipës dhe aktorit britanik Callum Turner duket sikur është shkruar nga një skenarist i Hollywood-it.
Çifti që është i fejuar që një vit, ka një fillim romantik që aktori e ka përshkruar si “krejtësisht të çmendur” në një intervistë të fundit për The Sunday Times.
Turner rrëfeu se gjithçka nisi rastësisht, gjatë ditëlindjes së një miku të përbashkët. Ai dhe Dua u ulën pranë njëri-tjetrit dhe zbuluan një detaj të pazakontë: të dy ishin duke lexuar të njëjtin libër.
“U ulëm pranë njëri-tjetrit dhe kuptuam që po lexonim të njëjtin libër, ‘Trust’ nga Hernán Díaz. Unë sapo kisha mbaruar kapitullin e parë dhe i thashë. Ajo më pa dhe më tha: ‘Edhe unë sapo kam mbaruar kapitullin e parë.’ Atëherë i thashë: ‘Pra jemi në të njëjtën faqe.’ Ishte çmenduri, por një ndjesi e pabesueshme,” tregoi aktori, duke shtuar se momenti dukej si një skenë nga një film romantik.
Nga thashetheme në fejesë
Spekulimet për romancën nisën në fillim të vitit 2024, kur çifti u pa bashkë në premierën e serialit Masters of the Air. Vetëm një muaj më vonë, ata u fotografuan duke shkëmbyer puthje në Los Angeles, duke e bërë të qartë se mes tyre kishte më shumë se miqësi.
Në dhjetor 2024, Dua dhe Callum i dhanë një hap tjetër marrëdhënies së tyre duke u fejuar. Edhe pse lajmi u konfirmua publikisht vetëm në qershor të këtij viti nga vetë Dua Lipa, burime pranë çiftit thonë se ata kanë preferuar ta mbajnë historinë e tyre më private, larg zhurmës së mediave.
Dashuri me bazë të fortë
Sot, Dua Lipa, një nga artistet më të suksesshme në botë, dhe Callum Turner, aktor i spikatur britanik, shihen si një ndër çiftet më të bukur dhe më të admiruar të showbiz-it ndërkombëtar. Edhe pse kanë zgjedhur diskrecionin, çdo dalje publike e tyre kthehet në lajm.