
Dua Lipa flet hapur për shëndetin seksual dhe HIV-in: Seksi duhet të jetë argëtues dhe i sigurt
Këngëtarja me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, po përdor famën e saj jo vetëm për të dhuruar performanca mahnitëse gjatë turneut të saj “Radical Optimism”, por edhe për të ndërgjegjësuar publikun mbi shëndetin seksual dhe parandalimin e HIV-it.
Në një ndalesë të veçantë në The Abbey, në zemër të Hollywood-it Perëndimor, Lipa festoi Ditën e Parë Kombëtare të PrEP, në bashkëpunim me organizatën Mistr, e cila ofron qasje falas ose të përballueshme në PrEP – një trajtim parandalues që mbron trupin nga HIV-i.
“Mendoj se seksi duhet të jetë argëtues dhe duhet të jetë i sigurt. Kënaqësia dhe mbrojtja nuk janë të kundërta, përkundrazi – ato shkojnë dorë për dore,” deklaroi këngëtarja gjatë eventit.
Pas performancës së hitit të saj “New Rules” dhe “Don’t Start Now”, Dua Lipa u bashkua në skenë me drag queens për një interpretim festiv të këngës “Houdini”, për të shënuar arritjen e Mistr: 10,000 persona në SHBA kanë nisur përdorimin e PrEP-it.
Në një intervistë për Rolling Stone, ylli i muzikës theksoi:
“Ka ende shumë stigmë rreth HIV-it dhe infeksioneve seksualisht të transmetueshme. Nëse mund ta destigmatizojmë kujdesin shëndetësor dhe ta bëjmë më të hapur, atëherë ka shpresë që HIV-i të zhduket krejtësisht”.
Dua gjithashtu nënvizoi rëndësinë e vetëkujdesit si një akt dashurie ndaj vetes:
“Shpresoj që kujdesi për veten të mos konsiderohet më turp. Mendoj se kjo, në vetvete, është shumë seksi.”
Pjesëmarrja e saj në këtë iniciativë vjen si rezultat i bashkëpunimit me Tristan Schukraft, themelues dhe CEO i Mistr, një figurë kyçe në përpjekjet për të bërë PrEP-in të aksesueshëm për të gjithë, me apo pa sigurim shëndetësor.
“Ishte një kauzë e jashtëzakonshme. Ajo që po bën Mistr është e domosdoshme, sidomos në Amerikë,” tha Dua Lipa. “Jam me fat që më ftuat. Isha e lumtur që ndodhesha në qytet”.
Ky angazhim tregon një herë të tjera se Dua Lipa përdor famën e saj për të promovuar ndërgjegjësimin shëndetësor dhe për të luftuar stigmat rreth çështjeve të rëndësishme sociale, duke kombinuar muzikën me një mesazh të fuqishëm për komunitetin.





