
MTV-ja ndalon transmetimin muzikor në Evropë në fund të vitit 2025
Pas më shumë se katër dekadash në ekranet televizive, kanalet muzikore të “MTV” -së do të mbyllen përfundimisht deri më 31 dhjetor 2025, duke shënuar fundin e një epoke për miliona shikues që u rritën me ritmin e saj, sipas “Euronews”.
Kompania “Paramount Global” njoftoi se do të “fikë prizën” për pesë kanale, “MTV”, “Music MTV 80s”, “MTV 90s”, “Club MTV” dhe “MTV Live”.
Fillimisht mbyllja do të nisë në Britaninë e Madhe dhe Irlandë, për t’u shtrirë më pas në Francë, Gjermani, Austri, Poloni, Hungari, Australi dhe Brazil.
Vendimi lidhet me planet e uljes së kostove dhe ristrukturimit që po ndjek kompania në bashkimin me Skydance Media. Por më shumë sesa një çështje financiare, ky hap pasqyron ndryshimin e thellë në mënyrën se si njerëzit ndjekin muzikën ,nga ekranet televizive tek platformat dixhitale si YouTube, Spotify e TikTok.
Që nga themelimi në vitin 1981, “MTV” revolucionarizoi kulturën pop me videon e parë “Video Killed The Radio Star” nga “The Buggles” e deri tek momentet ikonike si “Thriller” i Michael Jackson, performancat “Unplugged”, dhe ndikimi i “Nirvana”- s që solli grunge-in në mainstream.
MTV nisi transmetimin në Evropë në 1987, duke u bërë dritarja kryesore e trendeve muzikore dhe të modës për breza të tërë.
Programet e saj formësuan identitetin e rinisë në vite, duke e kthyer muzikën në pjesë të pandashme të jetës së përditshme.
Por me përhapjen e internetit dhe shfaqjen e platformave “on demand”, televizioni muzikor humbi ndikimin e dikurshëm. Shikuesit zgjodhën përvoja më personale dhe interaktive, ndërsa kanalet lineare si “MTV” u bënë relike të një kohe tjetër
Megjithëse marka “MTV” do të mbetet aktive përmes platformave online dhe ngjarjeve të mëdha si “VMA“ – të dhe “EMA”- t, mbyllja e kanaleve televizive shënon fundin e një simboli që për 44 vjet i dha zë dhe imazh kulturës rinore në gjithë botën.