
Vesa Luma për lojën “Roblox”: Situata është alarmante
Këngëtarja e njohur shqiptare, Vesa Luma, ka ndarë publikisht shqetësimin për një nga trendet më të përhapura mes fëmijëve, lojën online Roblox.
Në një postim në Instagram, Vesa ka shpërndarë një video ku flitet për ndikimin negativ të lojës dhe ka treguar përvojën e saj personale me djalin, Lianin, i cili për disa ditë ishte përfshirë në botën virtuale të Roblox-it.
“O Zot, faleminderit që më ke bërë atë nënën që disa e ‘përqeshin’ se i rri shumë gati djalit. Liani qëndroi vetëm disa ditë në Roblox, deri sa e bëmë të kuptojë vetë që është e keqe si lojë për të. Është alarmante situata”, ka shkruar ajo.
Ky postim është pritur si një thirrje për ndërgjegjësim prindëror, teksa Vesa ngre pyetjen e madhe që po shqetëson shumë familje sot.
Roblox, që në pamje të parë duket si një platformë argëtuese dhe kreative ku fëmijët ndërtojnë botë virtuale, në fakt fsheh disa rreziqe serioze.
Përdoruesit mund të krijojnë ‘lojëra brenda lojës’, ku shpesh mungon çdo kontroll mbi përmbajtjen, duke i ekspozuar fëmijët ndaj skenave të papërshtatshme, komunikimeve të rrezikshme dhe varësisë digjitale.
Me këtë reagim të ndershëm dhe të sinqertë, artistja i bashkohet zërit të shumë prindërve që kërkojnë më shumë kujdes e transparencë në botën online.
Ajo thekson se edhe kur diçka duket ‘lojë e pafajshme’, pas ekranit mund të fshihet diçka shumë më e rrezikshme për fëmijët.