
Organizata humanitare kritikon këngëtaren e famshme për tekstet rreth PTSD-së
Këngëtarja e njohur amerikane, Sabrina Carpenter, është përfshirë në një debat të madh publik pas lansimit të këngës së re “Nobody’s Son”, nga albumi më i fundit “Man’s Best Friend”.
Organizata bamirëse ‘PTSD UK’ ka reaguar ashpër, duke e akuzuar artisten se në tekstin e këngës banalizon dhe keqinterpreton çrregullimin e stresit post-traumatik (PTSD) - një gjendje e rëndë mendore që prek miliona njerëz në mbarë botën.
Shumë përdorues e kanë kritikuar mënyrën se si këngëtarja ka përdorur termin, duke thënë se e shndërron një çrregullim serioz në një shprehje të pavend dhe jo të ndjeshme.
Në reagimin e saj zyrtar, ‘PTSD UK’ publikoi një letër të hapur drejtuar Carpenter-it dhe shtëpisë së saj diskografike, ku theksoi se përdorimi i tillë i termit është i pasaktë nga ana mjekësore dhe krijon perceptime të rreme për këtë sëmundje.
“Fraza ‘merr PTSD çdo ditë’ nënkupton se kjo është diçka që ndodh shpesh dhe kalon lehtësisht, kur në fakt PTSD është një gjendje serioze dhe shpesh e përjetshme”, thuhet në letër.
Organizata shpjegon se përdorimi i gabuar i termave të shëndetit mendor në kulturën pop kontribuon në stigmatizimin e personave që vuajnë realisht prej tyre.
Ata shtuan se, edhe pse disa mund ta justifikojnë vargun si një metaforë për dhimbjen emocionale, është e rëndësishme që artistët të jenë të vetëdijshëm për ndikimin që kanë fjalët e tyre.
Deri më tani, Sabrina nuk ka reaguar publikisht ndaj kritikave, por debati vazhdon të zgjerohet në rrjete sociale. /telegrafi