
Gary Oldman shpallet kalorës nga Princi William në Kështjellën Windsor
Aktori i famshëm britanik dhe fitues i çmimeve Oscar e BAFTA, Gary Oldman, është nderuar me titullin kalorës për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në film dhe teatër.
Ceremonia u zhvillua në Kështjellën Windsor, si pjesë e Nderimeve të Ditëlindjes së Mbretit, ku Oldman u dekorua personalisht nga Princi William.
I emocionuar nga ky nderim i madh, Oldman e përshkroi momentin si një nga përvojat më të veçanta të jetës së tij:
“Ishte prekëse. Shumë prekëse.
Mezi e gjeta zërin tim. Ndihem shumë i nderuar, i respektuar. Mendova se Oscar ishte diçka e madhe, por kjo është diçka ndryshe. Është një ngjarje unike. Ishte vërtet e mrekullueshme,” – tha aktori.
Ai zbuloi gjithashtu se Princi William është një fans i serialit të tij më të fundit “Slow Horses”, ku Oldman luan agjentin e ashpër të MI5, Jackson Lam.
Me një karrierë të gjatë dhe të larmishme, Oldman ka spikatur me role ikonike që variojnë nga Winston Churchill (rol që i solli Oscar-in në filmin The Darkest Hour) deri te Sid Vicious, Lee Harvey Oswald në JFK dhe Drakula në versionin e Francis Ford Coppola-s.
Po ashtu, ai ka fituar dy çmime BAFTA për filmin e tij si regjisor Nil By Mouth (1997).
Në të njëjtën ceremoni, u nderuan edhe aktorja britanike fituese e BAFTA, Samantha Morton, si dhe futbollistja e kombëtares së Anglisë, Rachel Daly, pjesë e skuadrës që fitoi Euro 2022. /kultplus