
Habit Rovena Dilo: Shqiptarët që dëgjojnë rap bëhen “kriminelë”
Këngëtarja e njohur shqiptare, Rovena Dilo, ka shkaktuar debat pas një deklarate të fortë lidhur me reperët dhe ndikimin e muzikës rap në shoqëri.
Dilo shprehu shqetësimin e saj për atë që e përshkroi si një “zhanër provokativ”, i cili sipas saj mund të nxisë sjellje të rrezikshme dhe të polarizojë të rinjtë.
“Po të dëgjosh rap shqiptar, 50 për qind bëhen kriminelë,” tha Dilo, duke theksuar më tej se muzika duhet të shërbejë si “një mjet ushqyes, frymëzues, zbukurues”, dhe jo si një impuls drejt dhunës apo ekstremizmit.
Ajo ngriti edhe një pyetje retorike për efektin që ka muzika: “Çfarë të frymëzon një reper: të marrësh një kallashnikov e të vrasësh, apo të hedhësh shampanjë në kokë?”.
Deklarata e artistes ka nxitur reagime të ndryshme në publik: disa e mbështesin shqetësimin e saj për mesazhet që mund të normalizojnë dhunën, ndërsa të tjerë e konsiderojnë të diskutueshme përgjegjësinë që ngarkon një zhanër të tërë për veprimet e individëve.
Për shkak të karrierës së gjatë dhe përvojës së madhe në skenë, fjala e Rovenës mbart peshë të veçantë dhe nxit diskutime të rëndësishme mbi ndikimin e artit dhe muzikës tek shoqëria.
Ajo numëron këngë tejet të suksesshme dhe ka marrë pjesë në shumë kompeticione muzikore.