“Boyzone” rikthehen me një koncert të madh në Londër

“Boyzone” rikthehen me një koncert të madh në Londër

Showbiz October 01, 2025 - 11:47

Boyzone do të ribashkohen për koncertin e tyre më të madh deri më tani, në stadiumin “Emirates” të Londrës, verën e ardhshme, sipas “The Irish Times”.

Të katër anëtarët e grupit – Ronan Keating, Keith Duffy, Shane Lynch dhe Mikey Graham – do të performojnë në vendin ikonik me kapacitet prej 44,000 vendesh, më 6 qershor 2026.

Koncerti special i grupit legjendar të djemve të viteve ’90, “One For The Road”, shënon koncertin më të madh të të gjithë karrierës së tyre – kudo në botë – dhe herën e parë që ata performojnë së bashku – që nga koncerti i fundit në “London Palladium” në vitin 2019.

“Dashuria që kemi ndjerë nga fansat në të gjithë botën na ka frymëzuar të krijojmë përvojën më të mirë së bashku. Ne të katër mezi presim të performojmë sërish së bashku dhe të shijojmë “One For The Road”, tha grupi duke folur për koncertin e ardhshëm.

Grupi tha gjithashtu se eventi do të ishte një rast për të nderuar shokun e tyre të ndjerë të grupit, Stephen Gately, i cili vdiq në vitin 2009 në moshën 33-vjeçare.

Performanca e tyre “live” vjen pas shfaqjes së dokumentarit të tyre “Boyzone: No Matter What”.

Boyzone u ribashkua në vitin 2007 pasi u nda në vitin 2000, ndërsa anëtarët ndoqën karriera solo.

Midis viteve 2018 dhe 2019, ata përfunduan turneun e tyre të lamtumirës, "Thank You And Goodnight”. /atsh