
Shiten të gjitha biletat për dy netët e para të koncertit të Alban Skenderajt në Prishtinë
Këngëtari i njohur Alban Skenderaj ka shpërndarë një mesazh për fansat e tij, duke njoftuar se koncerti i tij "MOTIV" në Prishtinë ka arritur sukses të madh, duke shitur të gjitha biletat e dy netëve të para të koncertit në kohë rekorde.
Në një postim në Facebook, këngëtari ka falënderuar fansat për këtë vlerësim të madh, duke theksuar se ai e merr këtë si një përgjegjësi të madhe për të ofruar gjithmonë më të mirën.
“Nuk e di të them nëse e meritoj apo jo, por di të them që këtë vlerësim të jashtëzakonshëm e marr si një përgjegjësi shumë të madhe për t’ju ofruar absolutisht më të mirën nga vetja,” shkruan ai.
Për ata që nuk arritën të sigurojnë bileta për netët e para, ai ka njoftuar se kanë edhe një mundësi të fundit për të marrë bileta për natën e tretë, më datë 6 dhjetor.
Biletat do të jenë të disponueshme për t'u blerë sot në orën 18:00, përmes platformës VIVIVERE.AL.
Alban Skenderaj do të performojë në Prishtinë më datat 4, 5 dhe 6 dhjetor.