
Taika Waititi flet si regjisor i klipit të ri të Ritës: Ishte si ëndërr të punoja me gruan time
Taika Waititi ka thënë se ishte një “ëndërr” për të, që të ishte regjisor i klipit të këngës më të re të Rita Orës, “All Natural”.
Këngëtarja u rikthye të mërkurën (24 shtator) me këtë këngë joshëse, të cilën e përshkroi si një rrëfim për “të mësuarit të duash çdo anë të vetes – të fortën dhe të brishtën, dritën dhe hijet”, shkruan The Independent.
“Ky projekt është mbi rritjen, shërimin dhe zbulimin e vetvetes”, tha Rita. “Shpresa ime është që kur njerëzit ta dëgjojnë, të lidhen me udhëtimin e tyre personal dhe të ndihen të përfaqësuar në të”.
Nën regjinë e Waititit, me të cilin Rita u martua në vitin 2022, vklipi e sjell këngëtaren duke kërcyer nën drita të mëdha industriale, në një hapësirë që të kujton një klub të braktisur.
Në një intervistë për The Independent, fituesi i Oscar-it e përshkroi punën me Ritën si “punën më të lehtë në botë”.
“Nuk jam i sigurt nëse mund ta quaj punë”, u shpreh ai me humor. “Është thjesht të drejtoja kamerën kah shoqja ime më e mirë, e cila rastësisht është jashtëzakonisht e bukur dhe natyrshëm e talentuar. Madje as nuk e përdora vetë kamerën – thjesht i tregova operatorit ku ta drejtonte. Dhe gjatë gjithë kohës dëgjonim këtë këngë brilante. Ishte vërtet një ëndërr”.
Syzet inteligjente po vijnë me aftësi të jashtëzakonshme, por një problem po shqetëson gjithë internetin
Syzet inteligjente po vijnë me aftësi të jashtëzakonshme, por një problem po shqetëson gjithë internetin
Kënga është prodhuar nga Joel Little, producent, muzikant dhe kantautor nga Zelanda e Re, fitues i çmimit Grammy (i njohur për bashkëpunimet me Taylor Swift, Lorde dhe Gracie Abrams).
Paralelisht, Ora ka realizuar një mini-dokumentar me regjisoren britanike Stella Scott, ku reflekton mbi origjinën e saj kosovare dhe jetën e fëmijërisë në perëndim të Londrës.
Dy episodet e para u publikuan javën e kaluar në Instagramin e saj.
Albumi më i fundit i artistes, You & I, u lansua në vitin 2023 dhe debutoi në top 10 të listës britanike të albumeve.
Sipas njoftimit për shtyp, “All Natural” hap një “kapitull të ri” në karrierën e saj: “Një që ndjehet më e mprehtë, më e fuqishme dhe më e sinqertë se kurrë më parë”.
Përveç muzikës, Ora dhe Waititi po punojnë edhe në një projekt të ri muzikor të bazuar në festivalin famëkeq Fyre Festival.
Në një intervistë për The Hollywood Reporter, regjisori e përshkroi projektin si “emocionues, i çuditshëm dhe potencialisht katastrofik”.
Festivali, i planifikuar të mbahej në një ishull të Karaibeve në vitin 2017, u kthye në një dështim për shkak të organizimit të dobët nga bashkëthemeluesit. Pjesëmarrësit që kishin paguar dhjetëra mijëra dollarë për bileta dhe akomodim përfunduan të braktisur, duke fjetur mbi dyshekë të lagur në tenda të ndihmës humanitare, ndërsa ushqimi i ofruar ishin sanduiçe me djathë të servirura në kuti stiropori.
“Mezi pres të filloj dhe të marr pak nga ato para të ëmbla të teatrit amerikan”, tha Waititi me shaka. /Telegrafi