Trumpi dhe Clintoni pas vdekjes së Redfordit: I pakrahasueshëm, një ikonë e vërtetë

Trumpi dhe Clintoni pas vdekjes së Redfordit: I pakrahasueshëm, një ikonë e vërtetë

Showbiz September 17, 2025 - 12:26

Robert Redford, një nga figurat më të njohura të kinemasë amerikane, ka vdekur sot në moshën 89-vjeçare. Sipas publicistëve të tij, ai vdiq në shtëpinë e tij në Sundance, Utah, i rrethuar nga njerëzit që donte.

Disa prej kolegëve dhe admiruesve kanë bërë homazhe për të. Aktori i nominuar për Oscar, Colman Domingo, shkroi: “Me dashuri dhe admirim. Faleminderit zotëri Redford për ndikimin tënd të përjetshëm. Do të mbahet mend për breza. R.I.P”.

Edhe presidenti Donald Trump komentoi shkurtimisht ndarjen e Redfordi nga jeta, pasi u njoftua nga gazetarët pak para se të hipte në helikopterin presidencial Marine One për të nisur udhëtimin drejt Mbretërisë së Bashkuar.

“Robert Redford pati disa vite ku nuk kishte askënd më të mirë”, tha Trumpi. “Ka pasur një periudhë kur ai ishte më i kërkuari. E kam vlerësuar shumë”.

Trumpi nuk komentoi mbi kritikat e mëparshme që Redfordi i kishte drejtuar gjatë presidencës së tij. Në një editorial të shkruar për NBC në vitin 2019, Redfordi e kishte përshkruar Trumpin si një figurë “me sjellje diktatoriale”.

“Durimi dhe respekti ynë i përbashkët për të vërtetën, rregulli i shenjtë i ligjit, liria thelbësore e shtypit dhe liritë tona të çmuara të fjalës, të gjitha janë kërcënuar nga një njeri i vetëm”, kishte shkruar Redfordi në atë kohë, gjatë mandatit të parë të Trumpit si president.

Edhe ish-Sekretarja e Shtetit dhe kandidate presidenciale Hillary Clinton e cilësoi Redfordin si “një ikonë e vërtetë amerikane”, duke vënë në dukje jo vetëm karrierën e tij të jashtëzakonshme si aktor dhe regjisor por edhe për vlerat progresiste që ai mbrojti, mbrojtjen e mjedisit dhe qasjen në artet për brezat e rinj.

“Gjithmonë e kam admiruar Robert Redford, jo vetëm për karrierën e tij legjendare si aktor dhe regjisor, por edhe për atë që ndodhi më pas. Ai mbështeti vlerat progresive si mbrojtja e mjedisit dhe qasja në arte, ndërkohë që krijoi mundësi për brezat e rinj të aktivistëve dhe regjisorëve”, shkroi Hillary Clinton.

Kush ishte Robert Redford?

Redfordi, aktor dhe më pas regjisor, u bë i famshëm për filmat si Butch Cassidy and the Sundance Kid dhe All The President’s Men. Ai themeloi Festivalin e Filmit Sundance, që nga viti 1978 mbahet çdo vit në Utah, dhe u shndërrua në një institucion kryesor për kinemanë e pavarur.

Përtej kinemasë, Redfordi ishte edhe një aktivist i devotshëm për mjedisin. Në vitin 1975 ai kundërshtoi ndërtimin e një centrali elektrike në Utah, duke e konsideruar si një kërcënim për natyrën, ku e ftoi shërbimin televiziv “60 Minutes” për të diskutuar çështjen, dhe pas debatit planet për centralin u hoqën.

Redfordi themeloi në vitet ’80 Institutin për Menaxhimin e Burimeve, një organizatë që bashkon njerëz nga fusha të ndryshme për të gjetur kompromiset që mbrojnë mjedisin.

Në vitin 1989 ai organizoi Simpoziumin Sundance për Ndryshimet Klimatike Globale, dhe më vonë, në 2015, iu drejtua Kombeve të Bashkuara duke i bërë thirrje që të veprojnë menjëherë për ndryshimet klimatike.

Ai gjithashtu ishte bashkëthemelues i The Redford Center, një organizatë jofitimprurëse amerikane e dedikuar për krijimin e filmave që bashkëndajnë mesazhe me ndikim mjedisor.