
Nga poliomieliti te humbja e dy djemve, jeta e Robert Redfordit u shënua nga tragjedi të shumta
Edhe pse Robert Redford hyri në histori si një nga aktorët dhe regjisorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, jeta e tij prapa skenës nuk ishte gjithmonë e ndritshme.
Ikona e Hollivudit, i cili u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare në shtëpinë e tij në Utah, mbartte me vete një histori të thellë dhimbjesh dhe sfidash personale që ndikuan edhe në karrierë.
Sëmundja në fëmijëri
I lindur në Kaliforninë Jugore në vitin 1936, Redfordi u prek nga një formë e lehtë e poliomielitit pasi notoi në oqean. Ishte një kohë kur vaksina e Jonas Salk ende nuk ishte shpikur.
Një rini e trazuar
Në shkollë të mesme, Redford iu bashkua një bande rruge dhe madje u arrestua për shkak të një makine të “huazuar” me bizhuteri të vjedhura në bagazh. Ai ndoqi kolegjin në Universitetin e Kolorados me bursë bejsbolli, por shpejt u tërhoq nga jeta akademike, duke e humbur bursën për shkak të alkoolit e festave të shfrenuara. Pas vetëm 18 muajsh, u përjashtua nga kolegji.
Humbja e nënës në moshë të re
Në vitin 1955, kur Redford ishte vetëm 18 vjeç, humbi nënën e tij, Martha Hart, e cila ndërroi jetë nga një hemorragji pas lindjes së binjakëve që vdiqën menjëherë pas lindjes. Ai e quajti vdekjen e saj “të padrejtë” dhe e përkujtoi shpesh në intervista e ngjarje publike.
Tragjeditë familjare
Pas vdekjes së nënës dhe largimit nga kolegji, Redford udhëtoi nëpër Evropë dhe studioi artet në Paris, duke gjetur rrugën drejt aktrimit. Ai u martua në vitin 1958 me Lola Van Wagenen, por edhe jeta familjare e tij u shoqërua me dhimbje të mëdha.
Djali i tij i parë, Scott, vdiq vetëm 10-javësh nga sindroma e vdekjes së papritur të foshnjës (SIDS).
Djali i tij Jamie vuajti gjithë jetën nga probleme shëndetësore, përfshirë kolitin dhe probleme të mëlçisë, duke iu nënshtruar transplanteve të shumta, para se të humbiste jetën nga kanceri në vitin 2020, në moshën 58-vjeçare.
Vajza e tij Shauna përjetoi një aksident të tmerrshëm me makinë, ndërsa humbi edhe partnerin e saj në mënyrë tragjike.
Redford e pranoi publikisht se dhimbjet e humbjes së fëmijëve dhe vështirësitë e familjes së tij ndikuan në mënyrën si e shihte jetën dhe punën, edhe pse shpesh ai nuk i shprehte hapur në ekran.
Një trashëgimi e pavdekshme në film
Përtej tragjedive personale, Redford ndërtoi një karrierë brilante. Ai u bë i njohur me filma ikonë si “Butch Cassidy”, “Sundance Kid”, “The Sting, All the President’s Men” dhe shumë të tjerë.
Përveç aktrimit, la gjurmë edhe si regjisor dhe si themelues i Festivalit të Filmit ‘Sundance’, i cili sot është një nga eventet më prestigjioze të kinemasë botërore.
