Clooney anulon pjesëmarrjen në konferencën e Festivalit të Venecias, shkak problemi shëndetësor

Clooney anulon pjesëmarrjen në konferencën e Festivalit të Venecias, shkak problemi shëndetësor

Showbiz August 28, 2025 - 17:56

Aktori i njohur George Clooney mungoi të enjten në konferencën për shtyp të filmit të tij të ri “Jay Kelly”, gjatë ditës së dytë të Festivalit të Filmit në Venecia, për shkak të një infeksioni serioz të sinusit.

Ylli 64-vjeçar e ndërpreu papritur promovimin për filmin konkurrues të Noah Baumbach ditën e mërkurë dhe gjithashtu nuk mori pjesë në darkën me kastin dhe ekipin e filmit, shkruan DailyMail.

Në konferencë ishin të pranishëm bashkë-aktorët e filmit: Eve Hewson, Laura Dern, Riley Keough dhe Adam Sandler, ndërsa shpresohet që Clooney të shfaqet në premierën e filmit në mbrëmje, së bashku me bashkëshorten e tij, Amal.

Moderatori i konferencës e bëri të ditur mungesën e tij gjatë fotosesionit, duke thënë: “Për fat të keq George Clooney nuk do të jetë këtu, pasi vuan nga një infeksion i rëndë i sinusit. Shpresojmë që sonte të jetë në tapetin e kuq”.

Sandler komentoi me humor: “Edhe yjet e filmave sëmuren”, ndërsa Dern shtoi: “George është shumë i mërzitur që nuk mundi të ishte këtu”.

Sipas burimeve të The Hollywood Reporter, Clooney nisi të ndihej keq që të mërkurën dhe iu rekomandua të kthehej në hotel për të pushuar, përpara një dite të ngarkuar si e enjtja, kur do të mbahet edhe premiera botërore e filmit.

ktori dhe bashkëshortja e tij, avokatja e njohur Amal Clooney, po qëndrojnë në Hotel Cipriani gjatë aktiviteteve promovuese për filmin e Netflix. Ata u panë duke lënë Hotel Excelsior, ku është selia e Netflix-it në Venecia, rreth orës 16:00 të mërkurën.

Më herët gjatë javës, George dhe Amal kishin pritur bashkë-aktorët e filmit “Jay Kelly” në vilën e tyre madhështore në Liqenin Como, e vlerësuar rreth 100 milionë dollarë. Të ftuarit përfshinin fituesen e Oskarit Laura Dern, regjizoren e filmit Barbie, Greta Gerwig, si dhe komedianin e famshëm Adam Sandler dhe aktoren Eve Hewson, vajza e këngëtarit të U2, Bono.

Çifti Clooney, së bashku me binjakët e tyre 8-vjeçarë Ella dhe Alexander, i shëtitën miqtë me varkën e tyre me motor përpara se të drejtoheshin për drekë në Villa d’Este, një prej destinacioneve më ekskluzive të Italisë.

Filmi “Jay Kelly” pritet të publikohet në Netflix më 5 dhjetor. Clooney luan rolin kryesor, atë të një ylli të Hollivudit që gjithmonë interpreton vetveten. Në trailer, personazhi i tij shihet duke vënë në pikëpyetje zgjedhjet e jetës, pavarësisht adhurimit që merr nga fansat dhe stafi.

Image

Image