
Dua Lipa feston sot ditëlindjen
Sot këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, feston ditëlindjen e saj të 30-të.
E njohur si një nga ikonat më të mëdha të muzikës pop, ajo ka arritur të ngjitet në majat e top-listave ndërkombëtare dhe të pushtojë skenat më prestigjioze, duke fituar zemrat e miliona fansave në mbarë botën.
Rrugëtimi i saj muzikor nisi që në moshë të hershme, kur publikonte këngë në YouTube, përpara se të nënshkruante kontratën e parë me një shtëpi diskografike. Albumi debutues “Dua Lipa” (2017) solli hite si “New Rules”, që shënoi një kthesë të madhe në karrierën e saj. Me “Future Nostalgia” (2020) ajo fitoi “Grammy” dhe u bë një nga artistet më me ndikim të dekadës së fundit, duke lënë gjurmë jo vetëm në muzikë, por edhe në modë e kulturë.
Në këtë ditë të veçantë, babai i saj Dukagjin Lipa publikoi një mesazh të ndjerë, ku shprehu krenarinë për arritjet e saj, por mbi të gjitha për zemrën dhe mirësinë e saj.
“Sot nuk festojmë vetëm një përvjetor, por gruan e jashtëzakonshme që je bërë”, shkroi ai mes të tjerash.