
Vokalisti i “Coldplay” komenton skandalin në koncertin e tij: Nëse nuk jeni gati të dilni në lajme ndërkombëtare, ju lutem shmanguni
Vokalisti i “Coldplay”, Chris Martin, ka folur për incidentin famëkeq të ‘puthjes në kamerën’ që u bë një nga momentet më virale të vitit pak më shumë se një muaj më parë.
Si kujtesë, një video e një çifti të kapur duke kaluar një moment intim në një koncert në Boston u bë shpejt virale, me ‘detektivët e internetit’ që zbuluan shpejt se të dy ishin CEO dhe drejtoresha e Burimeve Njerëzore e kompanisë teknologjike ‘Astronomer’.
Edhe pse Martin bëri shaka për çiftet në audiencë në shfaqjet pasuese, ai kishte shmangur komentet e drejtpërdrejta mbi skandalin deri këtë javë.
Kjo ndryshoi të hënën, më 18 gusht, në një koncert në Hull.
Ndërsa lexonte pankartat e turmës, vuri re një fans i cili shkroi se e kishte parë grupin “tri herë në tre muaj”, përfshirë koncertin kontrovers të Bostonit.
“Ti ishe në atë koncert të Bostonit”, tha Martin. “Epo, në rregull, faleminderit që u ktheve pas atij rasti”.
Këngëtari më pas vazhdoi: “Ne kemi bërë Jumbotron për një kohë të gjatë dhe vetëm kohët e fundit u bë… po. Jeta të hedh limonë dhe ti duhet të bësh limonadë. Kështu që ne do të vazhdojmë ta bëjmë sepse do të takojmë disa prej jush”.
@newsweek Chris Martin said #Coldplay is committed to continue using of a “kiss cam” during a concert in Hull on August 19, and jokingly addressed the awkward moment the camera stirred controversy when it captured a CEO and his colleague in an embrace. #news #newsweek #coldplaykisscam ë original sound - Newsweek
Më pas, Martini lëshoi një paralajmërim për audiencën, duke iu referuar skandalit.
“Kjo quhet jumbotron dhe ne e kemi bërë këtë për një kohë të gjatë, zgjedhim njerëz për t’i përshëndetur dhe ndonjëherë ata rezultojnë të jenë një skandal ndërkombëtar”, shtoi mes tjerash.
“Por shumicën e kohës thjesht përpiqemi t’u themi përshëndetje disa njerëzve, kaq është. Tani të gjitha këto gjëra”, tha ai duke qeshur, duke shtuar: “Do të bëjmë kamerën tonë të puthjeve… Kështu që nëse nuk jeni gati të jeni në lajmet ndërkombëtare, ju lutem shmanguni”. /Telegrafi