
Ndahet nga jeta aktori australian Tristan Rogers
Tristan Rogers ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare.
Aktori australian ishte më i njohur për rolin e Robert Scorpio në serialin General Hospital. Ai u bë pjesë e telenovelës për herë të parë në vitin 1980.
Menaxherja e tij afatgjatë, Meryl Soodak, e konfirmoi lajmin për ABC 7 Eyewitness News të premten, më 15 gusht. Në korrik ishte bërë publike se Rogers ishte diagnostikuar me kancer.
Soodak u shpreh se roli i tij në General Hospital “nënkuptonte gjithçka për të”.
“Ai e adhuronte rolin e Scorpio-s dhe e krijoi atë nga asgjëja,” tha ajo. “Ishte planifikuar të luante vetëm një ditë, por e ktheu atë në diçka shumë të madhe. Ishte një njeri vërtet i sjellshëm, besnik dhe që e donte pa masë familjen e tij.”
Në reagim ndaj lajmit, producenti ekzekutiv i General Hospital, Frank Valentini, dha një deklaratë për PEOPLE:
“E gjithë familja e General Hospital është e thyer në zemër nga lajmi për vdekjen e Tristan Rogers. Për 45 vjet ai ka magjepsur fansat tanë dhe Port Charles nuk do të jetë më i njëjtë pa të (dhe pa Robert Scorpio-n),” u shpreh ai.