
Melania Trump kërcënon djalin e Bidenit me padi mbi 1 miliard dollarëshe për shpifje ndaj saj
Zonja e parë e SHBA-së, Melania Trump, ka kërcënuar të padisë Hunter Biden për më shumë se 1 miliard dollarë pasi ai pretendoi se ajo u prezantua me bashkëshortin e saj nga pedofili Jeffrey Epstein.
Avokatët që veprojnë në emër të zonjës së parë, e cila u martua me presidentin e SHBA-së Donald Trump në vitin 2005, e përshkruan pretendimin si “të rremë, përçmues, shpifës dhe nxitës”.
Biden, djali i ish-presidentit të SHBA-së Joe Biden, bëri komentet gjatë një interviste në fillim të këtij muaji, në të cilën ai kritikoi ashpër lidhjet e mëparshme të presidentit me Epstein, shkruan BBC.
Një letër nga avokatët e zonjës Trump, drejtuar një avokati të Hunter Biden, kërkon që ai të tërheqë pretendimin dhe të kërkojë falje, ose të përballet me veprime ligjore për “mbi 1 miliard dollarë dëmshpërblim”.
Ndryshe, letra ligjore vjen pas javësh presioni mbi Shtëpinë e Bardhë për të publikuar të ashtuquajturat dosje Epstein, dokumente të pazbuluara më parë në lidhje me hetimin penal kundër pedofilit të dënuar.
Para se të rizgjidhej, Trump tha se do t’i publikonte të dhënat nëse do të kthehej në detyrë, por FBI dhe departamenti i drejtësisë thanë në korrik se nuk ekzistonte asnjë listë klientësh “inkriminues” të bashkëpunëtorëve të Epsteinit. /Telegrafi