
Unaza gjigante me të cilën Ronaldo i propozoi Georginas vlerësohet në mbi katër milionë euro
Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez më 11 gusht shpallën publikisht fejesën e tyre, pas tetë vitesh lidhjeje, duke e ndarë lajmin me një postim në Instagram ku vëmendjen e mori unaza gjigante e fejesës që mbante në dorë modelja argjentinase.
Fotoja u bë menjëherë lajm ndërkombëtar jo vetëm për lajmin e fejesës, por edhe për përmasat dhe shkëlqimin e gurit të çmuar.
Edhe pse çifti nuk ka dhënë ende detaje mbi diamantet apo çmimin, ekspertët e bizhuterive në mbarë botën kanë filluar të bëjnë vlerësime.
Tobias Kormind, drejtor menaxhues i kompanisë londineze “77 Diamonds”, beson se guri qendror oval i unazës peshon rreth 35 karatë. Sipas tij, ai është i shoqëruar nga dy gurë anësorë ovalë prej rreth 1 karati secili, të vendosur në platin, duke e çuar totalin në 37 karatë.
Ai e krahason madhësinë e saj me diamantin legjendar Taylor-Burton prej 69.42 karatësh, të blerë dikur nga Elizabeth Taylor, dhe e vlerëson këtë unazë në rreth 5 milionë dollarë.
Një tjetër eksperte, Laura Taylor nga “Lorel Diamonds”, thotë se diamanti oval i Georginas mund të ketë midis 15 dhe 20 karatë. Ajo shpjegon se prerja ovale njihet për shkëlqimin e jashtëzakonshëm, duke reflektuar dritën nga çdo kënd.
Sipas saj, gurët anësorë e bëjnë gurin qendror të duket edhe më madhështor, ndërsa vendosja në platin jo vetëm që i shton siguri, por edhe e thekson ngjyrën e gurit. Nëse diamanti është natyral, me cilësi të përsosur (ngjyrë D-F dhe pastërti perfekte ose pothuajse perfekte), çmimi i tij mund të tejkalojë 2 milionë dollarë.
Edhe influencerja e njohur për analizat e bizhuterive luksoze, Julia Chafe, e komentoi unazën menjëherë për 859 mijë ndjekësit e saj. Ajo e vlerësoi deri në 3 milionë dollarë, duke supozuar se bëhet fjalë për një diamant oval D Flaëless 35 karatësh.
Me humor, Chafe shtoi: “Nëse ka diçka që dimë për Georginan, është se ajo nuk bën gjëra të vogla”.
Ky diamant madhështor tashmë është bërë një nga unazat më të komentuara të vitit, duke e vendosur fejesën e Ronaldos dhe Georginës në qendër të vëmendjes botërore. /Telegrafi