
Edis pas performancës elektrizuese në “Sunny Hill”: Prishtina ishte me të vërtetë e paharrueshme
Këngëtari i njohur turk, Edis, ishte një nga emrat më të spikatur në edicionin e sivjetshëm të Sunny Hill Festival, duke sjellë një performancë elektrizuese, që ngriti në këmbë mijëra fansa në zemër të Prishtinës.
Me karizmin e tij, energjinë në skenë dhe komunikimin e ngrohtë me publikun, ai la një përshtypje të paharrueshme në një nga festivalet më të rëndësishme të muzikës në rajon.
Pas përmbylljes së festivalit, artisti ndau me ndjekësit e tij emocionet dhe përshtypjet nga kjo përvojë, duke vlerësuar mikpritjen dhe organizimin e jashtëzakonshëm.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen ndaj artistes me famë botërore Dua Lipa dhe babait të saj, Dukagjin Lipa, të cilët janë organizatorët kryesorë të festivalit.
“Festivali ‘Sunny Hill’ ishte i pabesueshëm!. Prishtina ishte me të vërtetë e paharrueshme. Falënderoj Dukagjin Lipën dhe Dua Lipën për këtë ftesë të sjellshme dhe organizimin e mrekullueshëm. Çdo gjë ishte perfekte. Të isha në këtë skenë së bashku me ekipin tim ishte një kënaqësi e madhe. Një falënderim i veçantë edhe për ekipin tim, që realizoi një punë fantastike në kaq pak kohë. Besoj se Sunny Hill do të vazhdojë të rritet çdo vit dhe të bashkojë dashamirës të muzikës nga e gjithë bota. Na priftë e mbara – shihemi sërish!”.