“Sunny Hill” e shndërroi Prishtinën në një qendër globale, çfarë solli magjia e festivalit për tri net?
Foto: Facebook / Sunny Hill

“Sunny Hill” e shndërroi Prishtinën në një qendër globale, çfarë solli magjia e festivalit për tri net?

Showbiz August 04, 2025 - 10:13

Prishtina u shndërrua në kryeqytetin e muzikës botërore gjatë tri netëve të paharrueshme të “Sunny Hill Festival”, një nga ngjarjet më të mëdha kulturore në rajon.

Që nga nata e parë, ku rikthimi i Dua Lipës ndezi çdo cep të qytetit, e deri te finalja spektakolare me performancën e Anyma-s, festivali tejkaloi kufijtë e zakonshmes.

Qindra vetura në kolona dhe turma njerëzish që lëviznin drejt vendit të ngjarjes ishin vetëm paralajmërim i atmosferës unike që do të pasonte.

Që nga ora 17:00, skena e “Sunny Hill Festival’ nisi të gumëzhinte nga performanca e artistëve si Deezy, Art Lokaj & TNM, Kida, Sienna Spiro, Edis dhe Tayna.

Të gjithë ndërtuan skenën për mbërritjen më të pritur: Dua Lipa.

Image
Foto: SunnyHill

Këngëtarja shqiptare me famë botërore u rikthye në vendlindje si një yll që ndriçon më shumë se një skenë, si simbol krenarie për një komb.

Ajo e hapi koncertin me “Training Season”, duke ndezur publikun dhe krijuar një lidhje emocionale që mbeti e pandërprerë gjatë gjithë natës.

Image
Foto: SunnyHill

Hitet si “Levitating”, “Break My Heart”, “One Kiss” dhe “These Walls” u kënduan njëzëri nga mijëra të pranishëm.

Momenti kulmor erdhi kur ajo ftoi në skenë babain e saj, Dukagjin Lipën, për të interpretuar së bashku këngën “Era” nga grupi legjendar “Gjurmët”, një ndërthurje brezash dhe emocionesh që preku secilin në publik.

Image
Foto: SunnyHill

Mbrëmja vazhdoi me sukseset më të mëdha të saj si “Physical”, “Happy for You”, “Be the One” e “Love Again”, duke përmbyllur gjithçka me “Houdini”, një fund magjik për një natë të jashtëzakonshme.

Prishtina sërish u kthye në një hapësirë ku arti dhe publiku frymojnë njësoj.

Në natën e dytë, emra të njohur si Deezy, Yanina, Lluni, Era Istrefi, Sainte, Pint, Ledri Vula dhe Headie One e mbajtën gjallë atmosferën deri në momentin kur në skenë u ngjit Shawn Mendes.

Për herë të parë në Kosovë, kantautori kanadez e nisi koncertin me “There’s Nothing Holding Me Back” dhe më pas solli një sërë emocionesh përmes këngëve “Wonder”, “Treat You Better” dhe “Monster”.

I ndjeshëm dhe i lidhur me publikun, Mendes nuk e fshehu entuziazmin që përjetoi gjatë performancës në Prishtinë, duke falënderuar publikun për energjinë dhe mikpritjen, përcjell Klankosova.tv.

Image
Foto nga performanca e Shawn Mendes në “SunnyHill”

Festivali u përmbyll me natën e tretë, e cila solli një miks perfekt mes ritmit, dritës dhe shpirtit festiv.

Artistë si Deezy, Bess, Adrian Berisha, MyGal, Edgar Kerry dhe Tsha krijuan një valë të pandërprerë performance, ndërsa nata kulmoi me Anyma, një nga e mrat më në zë të skenës elektronike, i cili e transformoi skenën në një univers audiovizual.

Me një kombinim të skenografisë futuriste dhe tingujve që pushtuan çdo ndjesi, përmbyllja e “Sunny Hill Festival” ishte gjithçka që një festival kërkon: një përjetim nga Prishtina që nuk harrohet.

Image
Foto nga performanca e Anyma-s në “SunnyHill”