Sot nis “Sunny Hill Festival”

Sot nis “Sunny Hill Festival”

Showbiz August 01, 2025 - 09:07

Sot fillon festivali “Sunny Hill”, në fshatin Bërnicë të Prishtinës, ku për 3 net radhazi do të performojnë shumë artistë.

“Sunny Hill” do të fillojë fuqishëm me artisten shqiptare Dua Lipën, që rikthehet në vendlindje për ta hapur festivalin. Pjesë e turnet të albumit “Radical Optimism” tani është edhe Prishtina.

Pas Dua Lipës, në skenën C4 do të performojë Fatboy Slim – legjenda e muzikës elektronike dhe fituesi i 6 MTV Video Music Awards. Me energjinë e tij, ai do të sjellë argëtim deri në orët e para të mëngjesit.

Më 2 gusht për herë të parë në Kosovë vjen ylli botëror Shawn Mendes.

Fitues i “MTV Europe Music Awards” dhe me një prej zërave më të njohur të popit botëror ka mbushur arena si “O2” në Londër e “Madison Square Garden” në Nju-Jork.

Po atë natë, në C4, do të performojë Mochakk, DJ brazilian që po pushton botën me stilin funky e ekspresiv.

Natën e fundit skena kryesore i takon performancës audiovizuale nga Anyma – projekti solo i Matteo Millerit.

Ndërsa në C4 festivali përmbyllet me sensacionin global Peggy Gou, DJ dhe producente e superhitit “(It Goes Like) Nanana” dhe shumë hiteve.

Në line-up janë edhe: Artssassin, Bookie, Deezy, që sjellin ritmin urban, Sainté dhe Sienna Spiro, zëra të freskët të hip-hop/alt-pop, Skream, pionier i dubstep-it, Sugar Rush e Tommy Gold, me sete energjike dhe TSHA, që ka ndezur skenat e “Glastonbury” e “Lost Village”. S’duhet humbur as Mygal B2B Edgar Kerri – dyshja me performancë të përbashkët me një nga setet më energjike të këtij edicioni.

Edhe më shumë emra të mëdhenj të industrisë muzikore shqiptare janë në listë si: Loredana, Lyrical Son, MC Kresha, Era Istrefi, Tayna, Kida, Ledri Vula, Adrian Berisha, DJ Caboo, Art Lokaj Band, Bana Zahiti, Blerta Përtace, Hawolf, Lluni, Sahati, Uran B., Yanina dhe Zwada.