
Adrola Dushi: Nuk do të hyja kurrë në Big Brother VIP
Modelja e njohur, Adrola Dushi, ka folur hapur dhe me sinqeritet për qëndrimin e saj ndaj pjesëmarrjes në reality shoun shumë të komentuar, Big Brother.
Adrola tregoi se djali i saj Troi, i ka bërë dy kërkesa të qarta dhe të rëndësishme, të cilat ajo i ka marrë seriozisht: e para, të mos pijë duhan, dhe e dyta, të mos marrë pjesë kurrë në Big Brother.
Kjo e fundit është diçka që bukuroshja nga Rrësheni e konsideron të papranueshme për veten e saj.
Në intervistë, Adrola u shpreh se respekton njerëzit që vendosin të hyjnë në këtë format, duke theksuar se për disa është një mundësi e mirë për të gjetur veten dhe për të përparuar në jetë.
“Ka njerëz që kanë arsye për ta bërë dhe realisht gjejnë veten dhe ia dalin, dhe kjo është një gjë shumë e mirë për ta”, tha ajo.
Por për veten e saj, ajo nuk sheh këtë mundësi si të përshtatshme.
“Nëse unë do të hyja aty, nuk do të isha më vetja ime, nuk do të isha më mami i djalit tim”, theksoi Adrola me vendosmëri.
Ajo shtoi se pjesëmarrja në një reality shou të tillë do t’i merrte privatësinë dhe qetësinë, dy gjëra të cilat për të janë të paçmueshme.
“Nuk dua që e gjithë bota të di si ngrihem unë, si ha unë, si shkoj në tualet. Nuk do ta doja kurrë këtë”.
Adrola shprehu qartë se nuk ka asnjë çmim apo përfitim që mund t’i zëvendësojë qetësinë dhe privatësinë e saj personale, duke bërë të qartë se nuk ka asnjë mundësi që ajo të marrë pjesë në këtë format televiziv.