
Jessie J ndan përditësime rreth shëndetit të saj: Kanceri nuk është përhapur, kam shumë shërim përpara
Këngëtarja britanike Jessie J ndau një përditësim në Instagramin e saj rreth gjendjes së saj shëndetësore.
Në një postim të ri, ajo deklaroi se kanceri i saj nuk ishte përhapur pas mastektomisë. Jessie dhe djali i saj dyvjeçar Sky Safir regjistruan një video në të cilën u thanë ndjekësve të saj se ajo do të ishte mirë.
Në video, Jessie i mësoi të birit të thoshte “Mami, gjithçka do të shkojë mirë”, të cilën ai e përsëriste me gëzim.
“Jam mirë, rezultatet tregojnë se kanceri nuk është përhapur. Lotët e gëzimit janë të vërtetë. Faleminderit për lutjet, dashurinë, urimet, gëzimin dhe gjithë energjinë tuaj pozitive. Djali im është rrezja ime më e madhe e dritës dhe me të në jetën time, errësira nuk do të fitojë kurrë”, tha këngëtarja.
Jessie theksoi se do t’i nënshtrohet një tjetër operacioni rindërtues të gjoksit pas operacionit për të hequr njërin gji.
“Kam shumë për t’u shëruar dhe një tjetër ndërhyrje kirurgjikale përpara meje”, tha ajo.
Duke folur për shërimin e saj, Jessie deklaroi se gjithçka është ende e pakëndshme dhe pak e dhimbshme, por ajo theksoi se mund ta përballojë, duke pretenduar se është përpjekur edhe të hajë më mirë.
Ajo zbuloi gjithashtu se ka ndaluar së marri qetësues kundër dhimbjeve, duke pretenduar se nuk është gjëja e saj dhe se i pëlqen të jetë e vetëdijshme për mënyrën se si ndihet, në mënyrë që të mos e teprojë. Jessie thotë se ndihet pozitive dhe mirënjohëse pas operacionit.
Si kujtesë, më 3 qershor, Jessie ndau informacion në lidhje me diagnozën e saj shëndetësore me fansat për herë të parë, dhe në koncertin e 16 qershorit në stadiumin Wembley në Britaninë e Madhe, ajo zbuloi se ishte koncerti i saj i fundit “para se të shkojë për të mposhtur kancerin e gjirit”.