Vetëvritet reperi Young Noble, një nga figurat e fundit të afërta me Tupac

Vetëvritet reperi Young Noble, një nga figurat e fundit të afërta me Tupac

Showbiz July 05, 2025 - 17:01

Reperi amerikan, Young Noble, emri i vërtetë i të cilit ishte Rufus Lee Cooper III, ka ndërruar jetë në moshën 47-vjeçare si pasojë e një vetëvrasjeje.

Lajmi u konfirmua nga kolegu dhe kushëriri i Tupac Shakur, EDI Mean, i cili njoftoi me dhimbje se Noble i mori jetën vetes në mëngjesin e së premtes në Atlanta, Georgia.

Young Noble ishte pjesë e grupit legjendar të viteve të 90-ta, Outlawz, të formuar nga vetë Tupac Shakur, shkruan DailyMail.

Ai iu bashkua grupit vetëm disa muaj para se Tupac të vritej në vitin 1996 dhe mbeti aktiv me Outlawz deri në fundin e jetës së tij. Sipas burimeve, shkaku i vdekjes ishte një plagë me armë zjarri e vetëshkaktuar.

Në një postim prekës në Instagram, EDI Mean shkroi: “Vëllai im dhe partneri im për më shumë se 30 vjet i mori jetën këtë mëngjes. Sëmundja mendore është një betejë e vërtetë që po e luftojnë shumë njerëz. Ju lutem, kontrolloni njerëzit tuaj”.

Young Noble kishte përjetuar edhe më parë vështirësi shëndetësore. Në vitin 2021, ai pësoi një atak në zemër dhe falënderoi mjekët që i shpëtuan jetën.

Ai ishte i njohur jo vetëm për bashkëpunimin me Tupac, por edhe për projektet e tij solo, përfshirë albumet Noble Justice, Son of God dhe 3rd Eye View.

Vdekja e tij shënon një tjetër humbje për komunitetin hip-hop, veçanërisht për ata që mbajnë gjallë trashëgiminë e Tupac Shakur.

Noble kujtohet për përkushtimin e tij artistik dhe për besnikërinë ndaj miqve e familjes. 

Image
Image