Gjoni i Kosovës, i ftuar në “Eurovision 2025”
Artisti me origjinë nga Kosova, Gjon Muharremaj, i njohur si “Gjon’s Tears”, është konfirmuar si i ftuar special i këtij viti në “Eurovision 2025”.
Gjoni, që la një përshtypje të paharrueshme në “Eurovision 2021”, ka njoftuar se do të rikthehet në skenën e Eurovisionit si ftuar special në gjysmëfinalen e parë të garës më të madhe muzikore në Evropë, e cila do të mbahet në Basel të Zvicrës më 13, 15 dhe 17 maj, shkruan Zeri.info.
Kthimi i tij ndodh në një vit historik për vendin e tij, pasi Zvicra do të jetë mikpritëse e festivalit për herë të parë pas gati 40 vjetësh.
Gjon Muharremaj, i njohur profesionalisht si “Gjon’s Tears”, është lindur në vitin 1998 në Broc të Zvicrës, nga një baba kosovar dhe një nënë shqiptare. Pasioni i tij për muzikën u bë i dukshëm që në moshë të vogël dhe, që 12 vjeç, mahniti publikun në “Albania’s Got Talent”, ku përfundoi në vendin e tretë. Më vonë, ai mori pjesë në “La France a un incroyable talent” (versioni francez i “Got Talent”) dhe në vitin 2019 arriti në gjysmëfinale të “The Voice France”.
Në vitin 2020, Gjoni u përzgjodh nga transmetuesi zviceran SRF për të përfaqësuar Zvicrën me këngën në frëngjisht “Répondez-moi” – një baladë prekëse dhe emocionuese. Për fat të keq, për shkak të pandemisë COVID-19, edicioni i atij viti u anulua dhe kënga nuk u performua kurrë në skenën e Eurovizionit.
Ai u rikthye në vitin 2021 me këngën brilante “Tout l’univers”, duke magjepsur si juritë ashtu edhe shikuesit, dhe i solli Zvicrës vendin e tretë – rezultati më i mirë i vendit që nga viti 1993! Kjo këngë fitoi gjithashtu çmimin “Marcel Bezençon për Kompozimin më të Mirë”.
Në vitin 2023, Gjoni publikoi albumin e tij të parë “The Game”, i cili përfshin këngë të spikatura si:
“Pure”
“Silhouette”
“The Game”
“Midnight in Paris”
“Disappointed”
“Borderline”.
Albumi përzien art pop, rock alternativ dhe elemente elektronike, duke reflektuar thellësinë emocionale dhe identitetin unik artistik të Gjonit. Ai është shpërblyer gjithashtu dy herë me çmimin “Best Sëiss Act” në MTV Europe Music Awards.
Me Gjonin në Eurovision, në njëfarë mënyre, edhe Kosova do të përfaqësohet, edhe pse si shtet akoma nuk po arrin të sigurojë pjesëmarrje në garën më të shikuar televizive të muzikës. /Zëri