![Prishtina e mposht me përmbysje Vëllaznimin në kryeqytet](/uploads/zeri.info/images/2025/February/14/auto_Screenshot-2025-02-14-211855-780x4391739565162.jpg)
Prishtina e mposht me përmbysje Vëllaznimin në kryeqytet
Sigal Prishtina fitoi përballë Vëllaznimit në kryeqytet me rezultat 85:77 (16:23, 19:19, 23:21, 27:14), në ndeshjen e vlefshme për javën e 21-të të ProCredit Superligës.
Kuqezinjtë e nisën sfidën më mirë, duke pasur epërsi deri në 11 pikë, 12:23, në çerekun e parë, që përfundoi 16:23.
Megjithatë, prishtinasit u rikthyen për të afruar shifrat në 32:33, por sërish mysafirët u shkëputën për të shkuar në pushim me rezultat 35:42.
Bardhekaltrit e nisën furishëm periudhën e tretë, për të përmbysur shifrat në 46:42, por skuadra nga Gjakova sërish arriti të rikthehet, ku shifrat pas 30 minutash ishin 58:63.
Por, në dhjetëminutëshin e fundit, sidomos në tre minutat e fundit, bardhekaltrit arritën përmbysjen dhe fituan 85:77.
Te vendasit Josh Nzeakor shënoi 17 pikë, Rashid Mahalbasic 16 pikë e dhjetë kërcime dhe Daniel Lendreaj 14 pikë, shtatë kërcime e shtatë asistime, kurse te mysafirët u dalluan Jericole Hellems me 19 pikë dhe Trey Anderson me 17.
Sigal Prishtina tani ka 13 fitore e tetë humbje, derisa Vëllaznimi 11 fitore e dhjetë humbje. /telegrafi