![Kënga e Greqisë për Eurovision, rrit tensionet me Turqinë](/uploads/zeri.info/images/2025/February/06/auto_Klavdia-TRT1738861926.jpg)
Kënga e Greqisë për Eurovision, rrit tensionet me Turqinë
Diskutimet vazhdojnë në Turqi lidhur me këngën e Greqisë me titullin “Asteromata” e cila është zgjedhur për ta përfaqësuar Greqinë në Festivalin Evropian të Këngës “Eurovision 2025” dhe mesazhin e mundshëm “të fshehur” që kënga mund të përmbajë lidhur me gjenocidin e grekëve pontikë.
Burime diplomatike turke duket se janë përfshirë tani në debatin rreth pjesëmarrjes së Greqisë në Eurovision 2025, pas lajmit se transmetuesi publik i Turqisë, TRT, do të shqyrtojë tekstin e këngës “Asteromata” dhe do të ndërmarrë veprimet e duhura nëse gjykon se përmban diçka të papranueshme, shkruan Zeri.info.
Turqia duket se ka deklaruar sa vijon, në lidhje me mundësinë që kënga greke t’i referohet Gjenocidit të Grekëve Pontikë:
“Ajo që përjetuan Grekët Pontikë nuk mund të karakterizohet si gjenocid,” thanë ata, duke shtuar se sipas Konventës për Gjenocidin të vitit 1948, këto ngjarje nuk konsiderohen gjenocid dhe se nuk mund të lejojnë shtrembërime historike.”
Gjenocidi Pontik i referohet vrasjeve masive dhe zhvendosjeve të detyruara të Grekëve Pontikë nga Perandoria Osmane midis viteve 1914 dhe 1922, si pjesë e një fushate më të gjerë kundër minoriteteve të krishtera. Ndërsa Greqia, Armenia dhe disa vende të tjera e njohin zyrtarisht këtë ngjarje si gjenocid, Turqia e mohon ekzistencën e një gjenocidi, duke pretenduar se vdekjet ishin pjesë e kaosit të përgjithshëm të Luftës së Parë Botërore.
Në lidhje me këto zhvillime, më herët sot, zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis, bëri një deklaratë lidhur me “Asteromata” dhe tensionin e krijuar ditët e fundit.
“Procesi i përzgjedhjes nuk ka të bëjë fare me qëllime politike—teksti nuk përmban asnjë përmbajtje fyese. Në çdo rast, historia është e dokumentuar dhe nuk është çështje debati”, tha Marinakis, duke ju përgjigjigjur reagimeve të Turqisë, transmeton Zeri.info.
Vlen të theksohet se transmetuesi publik i Turqisë, TRT, pritet të shqyrtojë këngën “Asteromata”, e interpretuar nga Klavdia, pas raportimeve se ajo i referohet Gjenocidit të Grekëve Pontikë.
Për më tepër, Eurovision Türkiye vë në dukje një deklaratë të Klavdias në emisionin “Proïan se idon” në ERT më 16 janar, ku ajo tha se kënga e saj për Eurovision 2025 “flet për zhvendosjen dhe refugjatët”. /Zëri