New Yorku e pret Vitin e Ri me Rita Orën
Për natën e ndërrimit të motmoteve, shqiptarja me famë botërore Rita Ora dhe moderatori, Ryan Seacrest, do të jenë të pranishëm në “Times Square” të New Yorkut për ta bërë numërimin mbrapsht të sekondave në mesnatë.
Ata tashmë janë në atmosferën festive dhe po ndajnë momente të ndryshme nëpër llogaritë e tyre në rrjetet sociale.
Ora, e cila do të performojë gjatë spektaklit, ka postuar video dhe fotografi me një mesazh entuziast për fansat e saj, ndërkohë që në shumicën e fotografive shihet e veshur me ngjyrat kuqezi.
“Numëroni së bashku me ne – nesër natë, unë dhe Ryan Seacrest do të jemi në Times Square për të mirëpritur vitin 2025!”, ka shkruar ylli.
Ajo gjithashtu ka shtuar se do t’i performojë këngët e saj të njohura si “Let You Love Me” dhe “Praising You”, me një befasi në fund.
Të dy moderatorët janë gjithashtu duke ngjallur emocion për ngjarjen e madhe me postime dhe selfie në rrjetet sociale, për t’i ftuar të gjithë që të shikojnë ngjarjen që do të transmetohet në televizionin ABC.
Seacrest, udhëheqësi i programit “Dick Clark’s New Year’s Rockin’ Eve”, ka ndarë një detaj interesant mbi atë që e pret gjatë natës së ndërrimit të moteve. Sipas tij pjesa më e vështirë për të do të jetë fakti që nuk do të mund të hajë deri në orën 1:30 të mëngjesit, pas rënies së sferës në “Times Square”.
Ai ka treguar për TMZ-në se pas ngjarjes, zakonisht ka uri dhe do të donte të hante diçka.
“Pjesa më e vështirë është se darka nuk është deri në rreth orën 1:30 të mëngjesit”, ka thënë ai. Sidoqoftë, ai ka theksuar se, “ani pse New Yorku njihet si qyteti që kurrë nuk fle, nuk është se ka shumë mundësi për të ngrënë”.
“Nuk ka kaq shumë mundësi për të ngrënë sa mund të mendoni. Nëse do të isha në ‘Applebee’s’, do të doja një ‘pu pu platter’”, ka thënë ai me shaka.
Kur është pyetur se si po përgatitet për natën e ndërrimit të motmoteve, Seacrest ka thënë se ka nisur të numërojë mbrapsht qe një muaj.
“Kam nisur të numëroj mbrapsht që nga 1 dhjetori. Numëroj mbrapsht, ndërsa jam në palestër bëj hapa mbrapa. Po bëj gjithçka në jetën time mbrapsht në mënyrë që ta bëj si duhet natën e Vitit të Ri”, ka thënë ai.