Parashqevi Simaku viziton shoqatën “Vatra” në Amerikë, rikthehet në mesin e patriotëve dhe artdashësve të panumërt
Parashqevi Simaku vizitoi një ditë më parë shoqatën e shqiptarëve në Amerikë, e krijuar në vitin 1912, “Vatra”.
Në një shkrim të postuar në gazetën “Dielli”, kryetari i “Vatrës”, Elmi Berisha, falënderoi kontributin e çmuar të Simakut në muzikën shqiptare dhe përçimin e vlerave më të larta të kulturës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo ka qenë e shoqëruar nga biznesmeni Elton Ilirjani, aktivistja Elvira Tata dhe aktorja Julia Ilirjani.
Më poshtë jua sjellim postimin e plotë:
Vatra priti divën e muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku
Vatra priti në një takim të ngrohtë e shumë të përzemërt divën e muzikës shqiptare Parashqevi Simaku. Ajo shoqërohej nga aktivisti i të drejtave të njeriut, biznesmeni Elton Ilirjani, aktivistja Elvira Tata, aktorja Julia Ilirjani e patriotë të tjerë. Në fjalën e ngrohtë e plot dashuri Parashqevi Simaku e rikthyer në mesin patriotëve të saj e artdashësve të panumërt, shprehu mirënjohjen e saj të thellë ndaj Elton Ilirjanit dhe Elvira Tatës për mbështetjen e fuqishme dhe foli me respekt ndaj Vatrës.
Gjatë fjalimit të saj, e ëmbël dhe e buzëqeshur, e dashur dhe e bukur, mirënjohëse dhe falënderuese, ajo rrëfeu me dinjitet pak nga jeta e saj dhe përmallshëm citoi Papa Françeskun duke dhënë mesazhe dashurie.
Kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha i shoqëruar nga Ilir Cubi e Kujtim Funiqi e vlerësoi dhe falenderoi divën e muzikës shqiptare Parashqevi Simakun për vizitën në Vatër, kontributin e çmuar në muzikën shqiptare dhe përçimin e vlerave më të larta të kulturës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për vite të tëra Parashqevi Simaku ka qenë gëzimi dhe festa e çdo familjeje e organizate kulturore e atdhetare shqiptare në Amerikë me zërin magjik dhe interpretimet e arrira artistike.
“Të gjithë shqiptarët lidhen shpirtërisht me Parashqevi Simakun, këngëtaren e shquar të kombit tonë” tha Dr. Berisha duke shprehur mirënjohjen për vizitën te Vatra.
E rikthyer së fundmi mes shqiptarëve, kjo është vizita e parë publike e këngëtares Parashqevi Simaku dhe zgjodhi Vatrën për respektin dhe historinë e çmuar të Federatës si përbashkuesja e vlerave kombëtare dhe energjive atdhetare në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.