Publikohet lista, Kosova mbetet jashtë Eurovisionit edhe për vitin 2025

Publikohet lista, Kosova mbetet jashtë Eurovisionit edhe për vitin 2025

Showbiz December 12, 2024 - 14:20

Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), i cili organizon festivalin evropian të këngës Eurovision, ka publikuar sot listën e shteteve pjesëmarrëse.

Në Eurovisionin e vitit të ardhshëm,, i cili do të mbahet në Basel të Zvicrës, do të jenë në garë 38 shtete evropiane, duke përfshirë edhe Australinë, por Kosova ka mbetur jashtë edhe këtë herë, shkruan Zeri.info.

RTK-ja kishte dërguar një kërkesë në qershor të këtij viti që edhe Kosova të ftohet në garë, kërkesa ishte dërguar në adresën e Martin Osterdahl, mbikëqyrës ekzekutiv i Eurovision Song Contest, duke përdorur si precedent rastin e Australisë, e cila në vitin 2015 ishte e ftuar si mysafire, ndërsa tani është pjesë e garës më të madhe të muzikës evropiane.

Kjo kërkesë ishte refuzuar pasi në një përgjigje për “Zërin” kohë më parë Osterdahli e ka bërë të qartë se duhet anëtarësim i plotë i RTK-së në EBU, si parakusht për pjesëmarrjen e Kosovës në Eurovision.

“Kur bëhet fjalë për anëtarësimin në EBU, i cili është një parakusht për pjesëmarrjen në Eurovision Song Contest, më duhet t'ju referoj përsëri në RTK, pasi i takon ata të komentojnë procesin e tyre të aplikimit dhe jo mua”, ka thënë Osterdali për Zeri.info.

Gjithsesi RTK-ja këtë vit ka mbajtur edicionin e dytë të Festivalit të Këngës, ku fitues u shpall artisti i ri Dhjetori me këngën “Gjethet”, por i njëjti nuk do të ketë mundësi që të shkojë në Eurovision.

Kujtojmë se sipas statusit të EBU-së, Kosova duhet të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, përpara se RTK-ja të bëhet anëtare e EBU-së dhe të marrë pjesë në Eurovision.

Vitin e ardhshëm Eurovisioni shënon edicionin e tij të 69-të dhe të mbahet më 13, 15 dhe 17 maj në Basel të Zvicrës. /Zëri