Elvana Gjata synon Eurovisionin me “Karnaval”
Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), ka publikuar këngët pjesëmarrëse të edicionit të 63-të të Festivalit të Këngës.
Në mesin e artistëve pjesëmarrës, këtë vit në garë është edhe këngëtarja e njohur Elvana Gjata, e cila garon me këngën “Karnaval”, shkruan Zeri.info.
Fituesi i Festivalit të Këngës në RTSH, për të 20 vitin me radhë, do të përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision, i cili vitin e ardhshëm do të mbahet në Basel të Zvicrës.
Këngëtarja Elvana Gjata, e cila është emri më i përfolur për të përfaqësuar kombin shqiptar në garën e madhe të muzikës në Evropë, ka zgjedhur një këngë me ritme latine për të qenë pjesë e garës kombëtare.
Kënga “Karnaval” e cila është publikuar mbrëmë bashkë me të gjitha këngët pjesëmarrese në kanalin zyrtar të RTSH-së në Youtube, është ndër më të dëgjuarat dhe më të komentuarat në rrjetet sociale si pretedente për çmimin e madh.
Kujtojmë se kjo është hera e tretë që Elvana po merr pjesë në Festivalin e RTSH-së, ndërsa mbetet të shihet më 22 dhjetor, nëse kjo është “e treta e vërteta” për Elvanën. /Zëri