Amanda Seyfried zbuloi pse u largua nga Hollywoodi: Jam më e lumtur kur jam në baltë

Amanda Seyfried zbuloi pse u largua nga Hollywoodi: Jam më e lumtur kur jam në baltë

Showbiz November 16, 2024 - 17:05

Aktorja amerikane Amanda Seyfried ka ndarë së fundmi në një intervistë të sinqertë arsyet që e shtynë të largohej nga Hollywood-i. Në një bisedë për revistën Forbes, ajo tregoi se gjatë periudhës së famës më të madhe, vendosi të zhvendosej në bregun lindor, në New York.

“U zhvendosa atje para se të kisha familje. Qëndrimi këtu ishte vendimi më i mirë për privatësinë, qetësinë dhe natyrën. Më ofron një jetë më të balancuar sesa ajo në qytet”, tha Amanda.

Aktorja shtoi se ky vendim ishte i domosdoshëm për shëndetin e saj mendor. Jeta nën presionin e dritave të famës është më e përballueshme tani që ka një vend që e quan shtëpi.

Amanda ka ndërtuar një jetë familjare me bashkëshortin e saj, Thomas Sadoski, me të cilin u martua në vitin 2017. Çifti ka dy fëmijë, vajzën Nina dhe djalin Thomas, ndërsa pjesë të pandashme të familjes konsiderohen edhe kafshët në fermën e tyre.

“Kafshët e mia më japin balancë”, shprehet Amanda. Përveç qenit të saj Finn, ajo kujdeset për pula, rosa, dhi, mace, gomarë dhe kuaj, të cilët i sheh si anëtarë të rëndësishëm të familjes, po aq sa fëmijët dhe bashkëshorti i saj.

Edhe pse shpesh udhëton për shkak të roleve të ndryshme, Amanda e sheh këtë si një mundësi argëtimi. “Ditën tjetër do të jem më e lumtur në shtëpi, me çizmet e mbuluara me baltë duke ushqyer kafshët”, tha ajo.

Pavarësisht vendimit për të jetuar larg Hollywood-it, Amanda do të rikthehet për një periudhë të shkurtër për një rol të ri. Ajo do të interpretojë një nga rolet kryesore në adaptimin kinematografik të romanit të njohur The Housemaid. Përkrah saj, rolin tjetër kryesor do ta luajë aktorja Sydney Sweeney. /telegrafi