Drenusha i rrëfehet Xuxit për problemet me Atillën

Drenusha i rrëfehet Xuxit për problemet me Atillën

Showbiz November 05, 2024 - 21:03

Hyrja e Atilla Kartesh në formatin Big Brother VIP Kosova, ka bërë bujë të madhe në Kosovë.

Kjo për faktin se ai ka tashmë një histori me konkurrenten, Drenusha Latifin, të cilët kanë qenë të martuar dhe kanë dy fëmijë bashkë.

Prezenca e tij ka shkaktuar mjaft tension brenda shtëpisë dhe tek disa edhe kërshëri, të cilët nuk kishin njohuri për historinë e tyre.

Edhe gjatë ditës së sotme, Drenusha nuk ka qëndruar indiferente rreth kësaj çështje duke komentuar hyrjen e tij brenda në BBVK.

“Jom mund me kallxu që unë kom përjetu gjithçka por përsëri ja dalë. Se me qesi njerëz vetëm duhesh me kallxu veten, që qetu ki me ardhë edhe s’ki çka mem bo. Edhe kurrë në jetë tonde s’ki me pas… Edhe shumë mirë që je hy [që u hy] se mo kurrë prej qësaj dite, ky edhe ma kurgjo s’ka me mujtë me bo kur del jashtë”, i tregonte Drenusha, Xuxit.

“Para se me hy m’ka shkru. Para se me… si ka dalë urdhri-mbrojtës m’ka shkru edhe sa u kon urdhri-mbrojtës m’ka shkru. [Kam pas urdhër-mbrojtës] gjashtë muaj ditë. M’ka thirrë, m’ka shkru, krejt janë të deklarume janë te vendi, le të merret gjyqësori me atë punë. Ka vakt, janë të ngritura aktakuzat. Nuk është i dënum, për ata edhe i lejohet me ardhë këtu. Përderisa s’është i dënum, deri momentin që gjykata ta jep verdiktin [ti je i pafajshëm]. Hala s’ka verdikt në Kosovë”, potencoi mes tjerash ish-miss Kosova.

Kujtojmë se Drenusha ka akuzuar ish-bashkëshortin Atilla Kartesh për dhunë fizike, deklaratat të cilat i ka bërë publike në disa emisione televizive.

Avokatët e Kartesh kanë deklaruar sot se dhuna nuk ka qenë objekt trajtimi i procesit gjyqësor mes dy palëve.

“Lidhur me pretendimet e ngritura në media për dhunë fizike ndaj Drenushës, avokatët mohojnë kategorikisht ekzistencën e ndonjë procesi gjyqësor për këtë çështje. Ata sqarojnë se ky pretendim është i lidhur me një ngjarje të së kaluarës dhe nuk është trajtuar ligjërisht, as në Kosovë dhe as jashtë saj”, ka thënë mbrojtja e ish-bashkëshortit të Drenushës.

Megjithatë, ministria e Drejtësisë, ka kërkuar sot nga televizioni që Atilla të largohet menjëherë nga formati.