Reperi britanik Yung Filly akuzohet për përdhunim dhe mbytje të një gruaje në një hotel në Perth

Reperi britanik Yung Filly akuzohet për përdhunim dhe mbytje të një gruaje në një hotel në Perth

Showbiz October 10, 2024 - 16:02

YouTuberi dhe reperi britanik, Yung Filly, është paraqitur në gjykatë i akuzuar për përdhunimin dhe mbytjen e një gruaje në dhomën e tij të hotelit në Perth, pas një shfaqjeje, sipas raportimeve të mediave australiane.

29-vjeçari, emri i vërtetë i të cilit është Andres Felipe Valencia Barrientos, u arrestua dhe u ndalua në Brisbane të martën, për t’u ekstraduar në Perth të mërkurën, shkruan Sky News.

Supozohet se reperi dhe prezantuesi i BBC-së ka sulmuar seksualisht një grua në të 20-at në dhomën e tij të hotelit në Perth, pas një performancë që pati në një lokal në Hillarys, një periferi bregdetare në veri të kryeqytetit të Australisë Perëndimore, më 28 shtator.

“Hetimet për këtë rast janë në zhvillim e sipër dhe detektivët e Seksionit të Sulmeve Seksuale inkurajojnë çdo person që ka informacion lidhur me këtë çështje, ose ndonjë rast të ngjashëm, të kontaktojë Crime Stoppers”, thuhet në një deklaratë të Policisë së Australisë Perëndimore.

Filly u paraqit para Gjykatës Supreme në Perth të enjten, i akuzuar për katër raste të penetrimit seksual pa pëlqim, tri raste të sulmit që shkakton lëndime trupore dhe një akuzë për pengimin e frymëmarrjes ose qarkullimit normal të gjakut duke ushtruar presion në qafë.

Rasti u shty dhe atij iu dha liria me kusht, e cila përfshinte një ndalim për të kontaktuar viktimën e supozuar dhe për të postuar në rrjetet sociale lidhur me rastin përpara miliona ndjekësve të tij, raportoi ABC.

Filly, i cili është duke zhvilluar një tur në Australi, u paraqit në gjykatë i veshur thjesht me një bluzë gri dhe foli vetëm për të konfirmuar emrin e tij, sipas transmetuesit australian.

Raportohet se disa nga fansat e tij ishin të pranishëm në sallën e gjyqit për seancën.

Filly drejton programet e BBC-së ‘Hot Property dhe Yung Filly’s Celeb Lock-In’, dhe gjithashtu u shfaq në Channel 4 në programin ‘The Great Celebrity Bake Off’ në vitin 2022.

Ai bashkëpunon rregullisht me yllin tjetër të YouTube-it, Chunkz, dhe grupin e tij Beta Squad, ndërsa mburret me 3.2 milionë ndjekës në Instagram, 3.2 milionë në TikTok dhe 1.8 milion abonentë në YouTube. /telegrafi

Image