Dua Lipa thotë se e kritikon Izraelin “për të mirën e përgjithshme”

Dua Lipa thotë se e kritikon Izraelin “për të mirën e përgjithshme”

Showbiz June 18, 2024 - 10:33

Ylli i muzikës pop, Dua Lipa, thotë se është e gatshme të përballet me kritikat pas deklaratave të fundit duke e quajtur gjenocid operacionin ushtarak të Izraelit në Gazë.

Në një intervistë me Radio Times, 28-vjeçarja tha se ajo kontrollonte vazhdimisht veten përpara se të bënte një deklaratë, por e bëri këtë pasi mendonte se ishte për ‘të mirën e përgjithshme’ dhe se ia vlente rreziku.

Fituesja e çmimit "Grammy" muajin e kaluar ripostoi për 88 milionë ndjekësit e saj në Instagram një grafikë nga grupi "Artists4Ceasefire", së bashku me hashtagun "#AllEyesOnRafah", i cili u shfaq në trend në ditët pas bombardimeve të Izraelit të qytetit në Gazë.

“Djegia e fëmijëve për së gjalli nuk mund të justifikohet kurrë. E gjithë bota po mobilizohet për ta ndalë gjenocidin izraelit. Ju lutem tregoni solidaritet me Gazën”, shkroi ajo.

Image

Kohët e fundit, artistja u përmend në një këngë izraelite që bëri thirrje për dhunë kundër figurave publike që kanë shprehur pikëpamje propalestineze.

Autorja e “Levitating” i tha Radio Times: “Kur flas për gjëra që janë politike, e kontrolloj veten dy herë, trefish: ‘OK, kjo ka të bëjë me diçka që është shumë më e madhe se unë dhe është e nevojshme – dhe kjo është arsyeja e vetme po e postoj'".

Lipa, e cila ka lindur në Londër nga prindër shqiptarë, sugjeroi se trashëgimia e saj ndikoi në politikën e saj të hapur. /Telegrafi