Kosova pret ftesë për “Eurovision 2025”, RTK-ja dorëzon kërkesë në EBU

Kosova pret ftesë për “Eurovision 2025”, RTK-ja dorëzon kërkesë në EBU

Showbiz June 13, 2024 - 10:48

Transmetuesi Publik i Kosovës synon të marrë pjesë vitin e ardhshëm si garues në Eurovizion, që do të mbahet në Zvicër. Kërkesa zyrtare tashmë është dorëzuar në Unionin Evropian të Transmetuesve (EBU).

Dorëzimi i kërkesës është bërë pas një seri takimesh e angazhimesh të kryetarit të Bordit Besnik Boletini dhe drejtorit të përgjithshëm Shkumbin Ahmetxhekaj me drejtuesit e EBU-së dhe transmetuesve publikë evropianë.

Në letrën e dorëzuar në EBU më 6 qershor, drejtori i përgjithshëm Shkumbin Ahmetxhekaj thekson se kërkesa për të marrë një ftesë nga Bordi ekzekutiv i Eurovizionit është model i aplikuar tashmë nga EBU-ja në rastin e Australisë.

“Me respekt, kërkojmë që të merrni në konsiderim dërgimin e një ftese RTK-së që të marrë pjesë në garën e ardhshme të Eurosong. Pjesëmarrja jonë nuk do të ishte vetëm shpërfaqje e talentëve të Kosovës, por gjithashtu do të fuqizonte frymën gjithëpërfshirëse dhe shkëmbimin kulturor që përfaqëson Eurovizioni”, thuhet në letrën e drejtorit Ahmetxhekaj.

Më tej theksohet se ftesa për RTK-në do të ishte e bazuar në frymën evropiane.

“Ne fuqishëm besojmë që Festivali i Këngës së Eurovizionit është një ngjarje jopolitike që feston muzikën, diversitetin dhe unitetin, vlera që përkojnë thellësisht me kombin tonë”, thuhet në letër.

Më tej, drejtori Ahmetxhekaj rikujton se EBU-ja ka luajtur rol thelbësor në themelimin e RTK-së më 1999, prandaj pret që “EBU-ja do të na ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi, që është i mishëruar në misionin tonë si transmetues publik”.

Në këtë letër po ashtu përmendet fakti që RTK-ja ka nisur tashmë Festivalin e Këngës dhe se këtë vit do të mbahet edicioni i dytë, me shpresën që kënga fituese të përfaqësojë Kosovën në këtë ngjarje muzikore.

Kjo kërkesë pritet të shqyrtohet së shpejti nga drejtuesit e EBU-së dhe Bordit ekzekutiv të Eurovizionit.

Image