Çun Lajçi publikon fotografi dhe i del në krah Berishës: Mos u dorëzo, Sali Tropoja

Çun Lajçi publikon fotografi dhe i del në krah Berishës: Mos u dorëzo, Sali Tropoja

Showbiz May 23, 2024 - 13:37

Aktori i mirënjohur shqiptar, Çun Lajçi, ka ndarë disa momente intime nga takimi i tij me ish-kryeministrin dhe kreun e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha.

Fotografitë, të postuara në rrjetin social Facebook, shoqëroheshin me një mbishkrim të gjatë, ku Lajçi shpreh respektin dhe mirënjohjen ndaj Berishës, duke mos e fshehur dashurinë dhe përkushtimin e tij ndaj figurave historike të politikës shqiptare.

Lajçi, me një stil të veçantë rrëfimi dhe duke përdorur shprehje popullore, ndau me ndjekësit e tij tre momente të veçanta që e kanë lidhur me Berishën. Ai përmend dekretin për shtetësinë shqiptare që Berisha firmosi në vitin 1995, një telefonatë personale nga ish-Kryeministri ndërsa Lajçi po luftonte me COVID-19 ku iu ofrua ndihmë për trajtim të mëtutjeshëm, si dhe një zgjedhje personale nga e kaluara e xhaxhait të tij, Osman Rrustemi.

Çun Lajçi e përshkruan Berishën si një luftëtar kundër diktaturës dhe një simbol të demokracisë që e solli ish-Presidentin Bush në Tiranë dhe shpalli pavarësinë e Kosovës. Ai argumenton se mbështetja për Berishën nuk qëndron në parime partiake, por në një besnikëri dhe një ndjenjë personale të ndërgjegjes që nuk ka lidhje me politikat aktuale, por me njeriun pas figurës publike.

Në një postim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Lajçi shprehu ndjenjat e tij të lira dhe çliruese pas takimit, duke e inkurajuar Berishën të mos dorëzohet, pavarësisht sfidave dhe “kohërave të dallashitura”.

Postimi i plotë i Lajçit, pa ndërhyrje:

Mos u dorëzo Sali Tropoja, sa do që kohnat janë dallashitë!

Tri t’bamet e mira t’Sali Berishës, (heqi ato që bani për shtetin e eglave), që me shtynë të marr rrugë drejt “dritares” nga e cila e sheh nji pjesëz qielli e ca çati Tirane, për ta lëshuar zanin tim jehonë, për lirinë e njeriut që e sakrifikoi nji jetë, për mirëqenjen e të tjerëve dhe të atdheut t’hequr n’vargojt e diktaturës, ishin:

– Dekreti për shtetësinë shqiptare më 1995!

– Telefonata në repartin e Pulmologjisë, kur po vdisja nga Covidi, e Sali Berisha po m’ofronte transfer n’Stamboll me shpenzimet e veta,

Dhe

– Osman Rrustemi, xhaxhai im, ballisti, i përndjekuri i UDB-së, të cilit Dr. Berisha ia besoi Gitën t’ia rriste si fëmiun e vet, ishin pengu që po mbaja n’zemër dhe po prisja rastin që t’ia ktheja, njeriut i cili u ba breva e diktaturës dhe lulja e demokracisë!

Këto me rrokullisën Fanit teposhtë, (jo paraja, se akoma s’jam n’shitje), për ti mbështetë shkallët të ajo “dritare lirie” e për ta ngritur zanin për lirimin e njeriut që e solli Bushin n’Tiranë, për ta shpallur nga aty Kosovën shtet të pamvarur! (Kjo iu kujtohet besoj)!

– Edhe artisti e pret momentin që fjala e tij artistike të ngjizet me kohën dhe t’bahet dhamb kohe, ndaj shkova, jo t’fyej njenin e t’përkrah tjetrin, (se nuk me takon t’fus hundet n’politikën që s’e njoh, se artisti s’jeton pa popullin), por ta mbështes mocanikun tim, që rrin i ngujuar, jo për t’zezat e tija, (se për t’zeza do të duhej t’burgoseshin ata që mbajnë kumonën varur n’fyt), por nga inati, trishtimi nga fjala e vërtetë, nga drojtja e shplimit të t’bamave të këqia që do ti fundoste e do ti largonte përjetë nga politika!

Sali Berisha, përkundër urdhërave, e hapi derën e thirri; – s’mund ta lë rugovasin me shallin qefin, n’rrugë! Dua ta marrë ngryk e t’pi kafe të oxhaku se m’vret zakoni i maleve!

Po!

U futa n’konakun e tij e n’zemrën qindvjetshe!

Mos u dorëzo Sali Tropoja, sa do që kohnat janë dallashitë, i thashë kur ika!

Tani që pengun e hoqa nga zemra, sikur u shlirova!

Tiranë, 21 maj 2024.