Skandal në Eurovision: Televizioni publik RAI zbulon votat e Italisë, afro 40% prej tyre shkuan vetëm për Izraelin

Skandal në Eurovision: Televizioni publik RAI zbulon votat e Italisë, afro 40% prej tyre shkuan vetëm për Izraelin

Showbiz May 10, 2024 - 12:25

Në gjysmëfinalen e dytë të “Eurovision 2024” Italia prezantoi këngën e saj “La noia” të kënduar nga Angelina Mango.

Ndërsa në fund të mbrëmjes, gjatë përsëritjes së performancave të mbrëmjes, transmetuesi italian RAI shfaqte një banderolë në fund të ekranit me përqindjet pranë çdo vendi që konkurroi atë natë, të cilat shumëkush mendon se janë rezultatet e televotimit publik italian.

Megjithëse Italia është pjesë e pesëshes së madhe që fiton një vend automatikisht në finalen e madhe, kombit i lejohet të votojë në të njëjtën gjysmëfinale, në të cilin prezantohet kënga përfaqësuese e vendit, shkruan WiwiBlogs.

Zbulimi i këtyre rezultateve të mundshme të televotimit do të ishte një skandal dhe shkelje e rregullave të konkursit nga RAI. Transmetuesit publikë nuk lejohen të ndajnë ndonjë rezultat nga gjysmëfinalet, deri në finalen e madhe të së shtunës.

Rezultatet e mundshme që u prezantuan në gjysmëfinalen e “Eurovision 2024” nga RAI ishin:

Izraeli: 39.31%
Holanda: 7.32%
Shqipëria: 6.68%
Gjeorgjia: 6.64%
Zvicra: 6.03%
Armenia: 5.83%
Greqia: 5.29%
San Marino: 3.54%
Danimarka: 2.93%
Letonia: 2.91%
Austria: 2.84%
Estonia: 2.80%
Çekia: 2.48%
Malta: 2.19%
Belgjika: 1.68%
Norvegjia: 1.55%.

Izraeli kryesoi rezultatet e supozuara me një diferencë të konsiderueshme, duke fituar pothuajse 40 për qind të të gjitha votave të hedhura. Vendi i dytë iu dha Holandës, e cila grumbulloi 7%.

Ka pasur pyetje të shumta lidhur me vlefshmërinë e përqindjeve të votimit të shfaqura në ekran.

Kjo është për shkak se vetë transmetuesit zakonisht nuk e dinë ndarjen e votimit të gjysmëfinales së tyre. Gazetari portugez Bernardo Pereira shënoi se supozohet se votat e hedhura nga çdo komb shkojnë drejtpërdrejt tek kompania e votimit ONCE. Rezultatet përfundimtare pastaj vërtetohen nga kompania e kontabilitetit “Ernst & Young”.

Nuk dihet ende nëse RAI i Italisë ka një marrëveshje të ndryshme që u lejon qasjen në informacion të tillë. EBU akoma nuk ka bërë ndonjë koment mbi situatën. Ata nuk kanë as konfirmuar dhe as mohuar nëse rezultatet e televotimit të treguara nga RAI janë të sakta.

Sidoqoftë, informacioni ka ndihmuar Izraelin të ngjitet ndjeshëm në kuotat për të fituar “Eurovision 2024”. Eden Golan tani është e dyta më e preferuara nga bastexhinjtë për të marrë trofeun. Kroacia mbetet favorite e qartë, me kuotë 6/5. /Telegrafi