![“Dëgjova rrëfimet e njerëzve që humbën familjarët e tyre”, Dua Lipa flet për ndikimin e luftës në Kosovë](/uploads/zeri.info/images/2024/April/23/auto_lip1713864465.jpg)
“Dëgjova rrëfimet e njerëzve që humbën familjarët e tyre”, Dua Lipa flet për ndikimin e luftës në Kosovë
Artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka folur shpeshherë haptazi për Kosovën, si dhe prejardhjen e saj në ceremoni botërore, emisione të njohura e po ashtu edhe në revistat globale.
Një artiste që shpreh haptazi pikëpamjet e saj lidhur me çështjet e shumta edhe politike, ka folur së fundmi për ndikimin që ka pasur lufta në Kosovë tek ajo dhe gjithashtu komunikimi me njerëzit që e kanë përjetuar luftën dhe kalimin e tyre drejt një “bote krejtësisht të re”, raporton Malvern Gazette.
Duke folur për rrugëtimin e saj muzikor për Elle US, Dua Lipa foli gjithashtu edhe për luftën në Kosovë.
“Kam dëgjuar përjetime nga miqtë (në Kosovë) që kanë humbur anëtarë të familjes. Shtëpitë e djegura”, deklaroi artistja shqiptare, fituese e tre çmimeve “Grammy”.
“I pashë ata. Kur ke komunikim të drejtpërdrejt me njerëz që e kanë përjetuar luftën, kjo hap një botë krejtësisht të re dhe kjo ndodhi ngjashëm edhe për mua”.
![Image](https://zeri.info/uploads/zeri.info/images/2024/April/23/auto_lip11713864474.jpg)
“Ndihem shumë afër (për ata që vuajnë) ndaj padrejtësive në botë, apo ndaj pabarazive”.
“Qoftë luftë, [apo diçka tjetër], të gjithë kanë eksperienca të ndryshme. Ka të bëjë me mbështetjen dhe të mësuarit së bashku”, theksoi artistja e hitit “New Rules” dhe themeluesja e festivalit në Kosovë, Sunny Hill.
![Image](https://zeri.info/uploads/zeri.info/images/2024/April/23/auto_lip21713864488.jpeg)
Familja e Dua Lipës u kthye nga Britania në Kosovë kur ajo ishte 11 vjeçe. Ajo u zhvendos përsëri në Londër kur i mbushi 15 vjet, për të ndjekur siç ka potencuar ajo gjithmonë “ëndrrën e saj”. /Telegrafi