Meriton Mjekiqi del nga shtëpia e Big Brother VIP Albania
Në një zhvillim të papritur në puntatën e fundit të Big Brother VIP Albania, banori Meriton Mjekiqi u përball me një sfidë shëndetësore.
Gjatë një debati të ashpër ku po diskutoheshin dinamikat e fundit brenda shtëpisë të Big Brother, moderatori Ledion Liço e vuri re gjendjen e Meritonit, e cila dukej se nuk ishte e mirë.
Menjëherë, Liço e dërgoi atë në dhomën e rrëfimit për të marrë ndihmë mjekësore.
Sipas informacioneve të marra nga burime të afërta me situatën dhe të raportuara nga Report Tv, Mjekiqi u mor nga shtëpia e Big Brother dhe u transportua në spitalin e Traumës mbrëmjen e djeshme. Atje ai kaloi disa orë ndërsa iu nënshtrua një sërë ekzaminimesh mjekësore për të vlerësuar gjendjen e tij shëndetësore.
Ky ishte një ndër momentet më të tensionuara të këtij edicioni të Big Brother VIP, por ndodhi jashtë vëmendjes së kamerave dhe nuk u zbulua nga produksioni i spektaklit gjatë transmetimit live.
Ndërhyrja e shpejtë e moderatorit dhe masa e kujdesshme për të siguruar që Mjekiqi të marrë kujdesin e duhur mjekësor tregojnë për seriozitetin e situatës dhe vëmendjen që spektakli i kushton mirëqenies së pjesëmarrësve të tij.
Pas ekzaminimeve dhe vlerësimit nga personeli mjekësor, detajet rreth gjendjes shëndetësore të Meritonit dhe se a do të kthehet ai në shtëpinë e Big Brother VIP mbeten të paqarta. /Telegrafi