Mal Retkoceri flet pas fitores: Kënga “Çmendur” tregon një pjesë të jetës së nënës time

Mal Retkoceri flet pas fitores: Kënga “Çmendur” tregon një pjesë të jetës së nënës time

Showbiz December 22, 2023 - 10:00
Intervistoi: A.Limani

Këngëtari Mal Retkoceri, është shpallur fitues i edicionit të 62-të në Festivalin e Këngës në RTSH. Mali me këngën “Çmendur”, ka debutuar në muzikë, ndërsa ishte kënga e tij e parë dhe hera e parë në festivalin e RTSH-së, ku edhe mori votat e jurisë profesionale duke u shpallur fitues i këtij edicioni.

Ai është djali i këngëtares së njohur Violetë Kukaj, ndërsa në një intervistë eksliuzive për “Zeri.info”, menjëherë pas fitores, Mali ka treguar për herë të parë edhe mesazhin që ka kënga e tij, duke zbuluar se kënga i dedikohet nënës së tij, në fakt si thotë ai, kjo këngë është vetëm një pjesë e vogël e asaj çfarë ka kaluar nëna e tij.

Image
Mal Retkoceri me trofeun e Festivalit të Këngës në RTSH/ Foto: Zëri

Intervistën e plotë të Mal Retkocerit për “Zërin”:

Zëri: Sapo jeni shpallur fitues i Festivalit të Këngës në RTSH, e për të gjithë duket se ishte e papritur, na trego se si po ndiheni pasi po mbani trofeun e këtij edicioni në duar?

Mal Retkoceri: Në fakt edhe vet jam befasuar, unë jam befasu kur veç ma kanë pranuar këngën, se kam prit që fitoj një çmim, për mua ishte shumë kënaqësi me nda skenën jo vetëm me disa artistë të mëdhenj, por edhe me artistë tjerë të rinj që janë plotë pasion, për mua nuk është e rëndësishme sa vjet ki përvojë ,nëse s’ke pasion, s'dua të rri me ata persona, por këtu kishte shumë pasion.

Zëri: Si të erdhi ideja që të merrni pjesë në Festivalin e RTSH, duke bërë kështu edhe debutimin në muzikë?

Mal Retkoceri: Nuk e kam menduar asnjëherë, në fakt, para disa muajve, e kemi shikuar Eurovisionin me familje dhe ju thash se dua të shkoj atje, e kam kuptuar se përmes RTSH-së bëhet kjo dhe ky festival ke diçka shumë të madhe dhe më është dashur pak kohë të ambientohem. Vërtet tani s’po di çka të flas jam shumë i lumtur sa s’kam fjalë.

Zëri: Kënga “Çmendur” me të cilën fituat këtë festival, ka një mesazh i cili është përfolur që nga dita e parë, a mund të na zbulosh se cila është tema e këngës?

Mal Retkoceri: Këngën ia kam dedikuar nënës time, e kam shkruar për nënën time, kamë dashur me tregu një përqindje shumë të vogël se çka i ka ndodh në jetën e saj, e nuk e kam përjetuar si ajo, por e di si e ka përjetuar dhe thjesht që publiku ta di çka ka ndodh. Kam dashur që këtë mesazh ta jap në një skenë si festivali i RTSH-së, me tregu këtë dhe duket se ia arrita qëllimin. Jam shumë i lumtur edhe nëse nuk kisha fituar asgjë për mua ka qenë fitore e madhe me tregu këtë mesazh tek njerëzit. Kjo këngë është edhe për personat tjerë që janë të rrethuar me njerëz të këqij dhe njerëz që i keqpërdorin për gjera të tyre personale njerëzit e tjerë, thjesht largohuni nga ata persona, thjesht largohu nga ta, një jetë e kemi, jetojeni sa më mirë.

Image
Mal Retkoceri me familjen e tij pas fitores/ Foto: Zëri

Zëri: Besoj se kjo nuk do jetë kënga e fundit, pasi filluat me këmbë të mbarë duke fituar një çmim kaq të madh. Cilat janë planet për të ardhmen në karrierën tënde si këngëtar?

Mal Rekoceri: Idenë nuk e kam se çfarë do ndodh. Kjo për mu ka qene një eksperiencë shumë e mirë dhe sfidë që kam dashur me bë dhe e bëra. Nuk e di saktë se çfarë do bëj, kam ide tjera të këngëve, por nuk e di a ka mu merr prapë me të, por faleminderit të gjithëve për këtë eksperiencë të bukur.

Image
Mal Retkoceri dhe Besa Kokëdhima/Foto: Zëri