Eurovisioni publikon listën e shteteve pjesëmarrëse, Kosova “proteston”

Eurovisioni publikon listën e shteteve pjesëmarrëse, Kosova “proteston”

Showbiz December 06, 2023 - 10:31

Unioni i Transmetuesve Evropianë [EBU] ka publikuar listën e shteteve pjesëmarrëse në festivalin e këngës evropiane “Eurovision Song Contest” për vitin e ardhshëm.

Sipas listës, në Eurovisionin e vitit 2024 do të marrin pjesë 37 shtete, ku Luksemburgu është rikthyer pas 30 vjetësh në garë, ndërsa Kosova mbetet jashtë garës edhe për vitin e ardhshëm, shkruan Zeri.info.

Në edicionin e 68-të të Eurovisionit, i cili do të mbahet në maj të vitit të ardhshëm në Malmo të Suedisë, Kosova nuk ka arritur të sigurojë pjesëmarrje, pavarësisht tentimeve.

Pse Kosova nuk merr pjesë në Eurovision?

Që kur Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 ka pasur tentime të vazhdueshme që RTK-ja të sigurojë pjesëmarrje në garën më të madhe të muzikës në kontinent, por deri tani pa sukses.

EBU insiston që Kosova nuk i përmbush kushtet e pjesëmarrjes në Eurovision, pasi nuk është anëtare e plotë e kësaj organizate.

“Anëtarësimi është për organizatat transmetuese, shtetet e të cilave janë brenda Zonës Evropiane të Transmetimeve, siç përcaktohet nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit, ose janë anëtarë të Këshillit të Evropës”, thuhet në statutin e EBU-së për shtetet anëtare, transmeton Zeri.info.

Ndonëse EBU-ja është organizatë më e vogël se UEFA dhe FIFA, ku Kosova është anëtare nga viti 2016, vazhdon të mos gjejë ndonjë modalitet që Kosovën të futë në garën e këngës, ashtu siç kishte bërë me Australinë, e cila ka status vetëm të vëzhguesit në EBU.

EBU-së që nga viti 2021 i është nisur një peticion, i cili deri tani numëron mbi 11 mijë nënshkrime në të cilin i bëhet thirrje të pranoi Kosovën në Eurovision, por duket as kjo nuk ka ndikuar që Kosovës t’i hapen dyert e Eurovisionit.

Për më tepër, RTK-ja në tetor të këtij viti ka nisur edhe Festivalin e Këngës, i cili pritet të jetë gara shtetërore e vendit për ta zgjedhur përfaqësuesin në Eurovision. EBU-ja këtë veprim të RTK-së e ka pritur mirë, por jo edhe që fituesin e Festivalit të Këngës ta ftojë në Eurovision.

Kosova proteston

Menjëherë pas publikimit të listës me 37 shtete pjesëmarrëse për vitin e ardhshëm, ku u kuptua se Kosova ka mbetur jashtë, faqja “Eurovision Kosova” e cila lobon tash e disa vite për ta çuar Kosovën ne Eurovision ka bërë një postim “protestë” në lidhje më këtë.

Sipas “Eurovision Kosova”, politika po triumfon në muzikë, duke mos lejuar shtetin më të ri në Evropë që të garojë në Eurovision.

Kjo faqe përmend anëtarësimin në FIFA dhe UEFA, ndërsa e cilëson absurde refuzimin nga EBU-ja.

“Politika vazhdon të triumfojë ndaj muzikës. Pavarësisht interesimit tash e disa vite, të cilin Kosova e ka dëshmuar në mënyra të ndryshme dëshirën për të marrë pjesë në Eurovision, pavarësisht peticionin me mbi 11 mijë nënshkrime ndaj EBU-së, pavarësisht se RTK-ja e nisi këtë vit edhe Festivalin e Këngës, EBU-ja vazhdon të mos e pranojë Kosovën në garën e Eurovisionit, e gjitha kjo krejt për shkaqe politike që po triumfon në këtë organizatë e cila edhe pse është shumë herë me e vogël se UEFA dhe FIFA, ku Kosova është bërë anëtare, vazhdon të mos gjejë mënyra për ta pranuar RTK-në. Gjithsesi tani janë konfirmuar 37 shtete pjesëmarrëse që do të garojnë në Eurovision 2024, i cili do të mbahet në Malmo të Suedisë”, shkruan “Eurovision Kosova”.

Sipas tyre, Eurovisioni nuk do të jetë asnjëherë i plotë pa Kosovën.

Kujtojmë se deri më tani disa artistë nga Kosova janë ngjitur në skenën e Eurovsionit duke përfaqësuar shtete të tjera, si; Rona Nishliu, Lindita Halimi, Gjon Muharremaj, Nevena Bozoviq, Albina & Familja Kelmendi. /Zëri