Gjykata merr vendim për banoren e “It’s my home”, e cila u arrestua ditë më parë
Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia caktuar të dyshuarës T.Ll masën e ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar në afërsi prej 50 metrave në hapësirat publike, në kohëzgjatje prej një muaji.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.
Gashi tha se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal, më 18 shtator 2022, ka mbajtur seancën dëgjimore lidhur me rastin e të pandehurës T.Ll., ku edhe iu ndryshua kërkesa për caktim të paraburgimit, në kërkesë për caktimin e masës së ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurës T.Ll., e ndryshuar në seancë dëgjimore me kërkesë për caktimin e masës së Ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, për shkak të veprave penale ‘Sulmi’, nga Neni 184, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale ‘Sulmi ndaj personit zyrtar’, nga Neni 402, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha Gashi.
Tutje, e njëjta shtoi se Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia caktuar të dyshuarës masën e ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar në afërsi prej 50 metrave në hapësirat publike, në kohëzgjatje prej një muaji.
“Në rast të mosrespektimit të kësaj mase, të pandehurës T.Ll. do t’i zëvendësohet kjo masë, me masën e paraburgimit konform Nenit 177, paragrafit 5 të KPPRK-së”, tha Gashi.