Për herë të parë, publiku do të zgjedh përfaqësimin e Shqipërisë në Eurovision 2023

Për herë të parë, publiku do të zgjedh përfaqësimin e Shqipërisë në Eurovision 2023

Showbiz September 09, 2022 - 17:36

Radiotelevizioni Shqiptar (RTSH), ka publikuar thirrjen për pjesëmarrje në Festivalin e Këngës që këtë vit shënon edicionin e 61-të.

Të gjithë këngëtarët që duan të bëhen pjesë në edicionin e këtij viti do të kenë kohë deri më 30 shtator që të dërgojnë materialet e tyre për konkurrim.

Për herë të parë, në këtë edicion do të vendos edhe vota e publikut për këngëtarin që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2023, transmeton Zeri.info.

Akoma nuk dihet se cila do të jetë pesha e votës së publikut, apo ajo do të ndahet në 50 me 50 me jurinë profesionale.

“Zëri” ka mësuar se këtë edicion do ta drejtojë prezantuesja e njohur Arbana Osmani, ndërsa bashkëshorti i saj Eduart Grishaj do të jetë regjisor, po ashtu pritet që drejtor artistik i këtij edicioni të jetë Flori Mumajesi.

Festivali i Këngës në RTSH do të mbahet në fund të dhjetorit, ndërsa fituesi si çdo vit përfaqëson Shqipërinë në festivalin evropian “Eurovision Song Contest” që vitin e ardhshëm do të mbahet në Britaninë e Madhe. /Zëri